Intervista e plotë me Ervin Salianjin
Merita Haklaj: Zoti Salianji, pak ditë përpara zgjedhjeve, ju në një postim flisni për një skenar për të instaluar një sundim që qëndron mbi represionin. Edhe dënimin tuaj, kur ishit caktuar drejtues politik për Elbasanin, e keni cilësuar si pjesë të këtij skenari dhe të padrejtësisë. Cilët janë elementët ku e mbështesni këtë akuzë, sepse ka shumë prej atyre që e quajnë konspiracion.
Ervin Salianji: Nuk kam folur për skenar, por për realitetin e Shqipërisë se sotme. Nuk ka një skenar për instalim, por është i instaluar një regjim. Vonesa apo hezitimi për t’i vënë emrin e vërtetë, në fakt ka ndihmuar në konsolidimin e tij. Mbyllja e syve dhe tolerimi, kanë krijuar një përbindësh në mes të Europës. Sot çdo institucion kontrollohet nga një njeri i vetëm, ekzekutivi, legjislativi, gjyqësori, institucionet dhe entet e pavarura, pushteti lokal (me pak përjashtime të cilat autokrati s’i përballoi dot si fakte; në Kavajë që isha drejtues politik dhe fitoi PD e unë u burgosa; Himarë, ku fituesi u burgos) dhe përveç gjithë institucioneve që duhet të bëjnë kontrollin dhe balancën, sot kemi dhe krijimin, sipas një plani të përcaktuar të një elite ekonomike afër autokratucit. Kush është me të avancon kush është indiferent ose kundër, ndëshkohet.
Në lidhje me dënimin tim pa ligj nuk di se ku mund të shihet konspiracioni, është kaq e thjeshtë sa është e pabesueshme që ka ndodhur. Jam dënuar për një denoncim publik nga selia e PD si deputet i opozitës, denoncimi im nuk ka sjellë asnjë të keqe për shoqërinë dhe interesin publik, përkundrazi ka pasur efekt të menjëhershëm pozitiv. Ditën që kam denoncuar i dënuari për trafik ndërkombëtar droge Agron/Geron Xhafaj është dorëzuar tek autoritetet italiane për të kryer një dënim që, pavarësisht se kishte më shumë se 15 vite që ishte dhënë, nuk zbatohej për shkak të mbrojtjes që i jepte vëllai Ministër i Brendshëm. Po ashtu, akuza ndaj meje është psikopatike: Kallëzim i rremë pa bërë kallëzim fare, ndërkohe montimi i çështjes është një prej turpeve më të mëdha të drejtësisë, u manipulua gjithë narrative, duke paguar një kontingjent policie, ordiner i dënuar për krime të kobshme si Alfred Alizoti. Blerja e tij u faktua me përgjime zyrtare nga prokuroria, ku qartësisht, në publikimet që kam bërë janë bisedat mes drejtorëve të policisë, prokurorit të çështjes dhe dëshmitarit të sajuar.
Pavarësisht kësaj gazetari me integritet qe ka bere investigimin qe kam publikuar unë, kameramani, shoku i Xhafajt, Veliu apo babale, drejtuesi i emisionit, të gjithë që kanë bërë investigimin ku u provua që gjendej lehtësisht droge, e pohuan publikisht se investigimi qe kryer prej tyre. Pra këto mjaftojnë për këdo për të kuptuar se ky nuk ishte një proces, por një farsë e shëmtuar. Një turp për drejtësinë, mjaftueshëm i turpshëm për ta bërë Edi Ramën të ndihet krenar e ta thotë këtë sa herë i jepet rasti.
Merita Haklaj: A mund të thotë dot ndonjë institucion sot se për çfarë jam në burg unë prej 8 muajsh?!
Ervin Salianji: Përgjigja është e qartë, nuk blihem dot nga kundërshtari, e kam mundur Edi Ramën dhe sojin e tij në Korçë, në Kavaje, e kudo ku më është dhënë përgjegjësi politike, e do ta mundja po njësoj në Elbasan. Dënimi është qartazi politik, për të më shmangur nga fushata/ Ritheksoj se qellimi ishte izolimi, pengimi, për të bërë fushatë, sepse dënim me burg për këtë vepër penale nuk ka pasur asnjë rast tjetër në Shqipëri. Po ashtu, i pari rast ku një deputetet gjykohet nga gjykatat e zakonshme. Marrja e mandatit dhe ndalimi i kandidimit ka qenë synimi. Duke qenë se gjykata nuk dha dënim plotësues për të me ndaluar funksionet publike, u gjet artifica e burgosjes për të më mbajtur larg nga beteja.
Merita Haklaj: Zoti Salianji, rasti juaj nuk ngjan me ato të çështjeve për korrupsion që janë hetuar e po hetohen nga SPAK. Megjithatë, fakt është se partia juaj ka marrë një pozicion të qartë kundër drejtësisë së reformuar, e cila vijon të gëzojë një mbështetje të gjerë tek qytetarët. (Kjo u pa edhe pas arrestimit të Veliajt ku sipas sondazheve, SPAK u rendit i pari në besueshmëri) A rrezikoni kështu të humbisni edhe mbështetjen politike dhe besimin e opinionit publik?
Ervin Salianji: Rasti im është i pari rast dhe i vetmi i gjykimit nga gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm, të një deputeti, i pangjarë në 34 vite dhe rikthim i dënimeve për agjitacion e propogandë, apo siç thotë autokratuci qe mezi e priste, ky vendim u dha për të kënaqur zarbën e trillin e sunduesit.
Në lidhje me argumentin se sondazhet pëlqejnë apo mbështesin x apo y, aksion apo institucion, unë besoj që kur bëhet një vlerësim i tillë, duhet të përvëlojnë kritere të tjera si e vërteta apo mbrojtja e lirive dhe te drejtave themelore të qytetarëve, përndryshe kushdo është në rrezik. Këtë e pres nga elitat e mendimit, apo nga gazetarët që janë përçuesit e mesazhit. A mendoi Presidenti Linkoln për sondazhet kur hoqi skllavërinë, po Roza Park që burgosej kur luftonte për të drejta civile? Po Martin Luter King që përndiqej dhe kishte sondazhet dhe opinionin kundër në kauzën e luftën e tij? Po ata që luftuan për të drejtën e votës së grave?
Në raport me liritë dhe te drejtat nuk mund të gjykoj dot mbi bazën e sondazheve, por të standardeve ligjore dhe demokratike, sepse nëse do ishte çështje e turmës, atëherë do ishin gjyqet popullore. Ne u ndamë nga ajo kohë 35 vite më parë dhe aspiruam për një shtet të së drejtës, që sot është në rrezik për shkak të autokratit.
Kam një pyetje retorike meqë jemi 2 ditë para zgjedhjeve, si ka mundësi që ka 5 muaj zhurmë, tituj të mëdhenj, headlines, dhe asnjë produkt gjithë angazhimi i institucioneve të rankuara mirë në sondazhe, për krimet zgjedhore? A ka vallë njeri në Shqipëri që nuk di se çfarë po bëhet me zgjedhjet dhe deformimin e vullnetit të zgjedhësve sot?!
Merita Haklaj: Ju flisni për 11 Majin si një ditë çlirimi. Po ashtu flisni për një ndjenjë lirie. Ndërkohë ditët e fundit po shoqërohen me tensione, ku nuk bën përjashtim as Elbasani. Tomor Alizoti po ngre zërin ndaj veprimit të bandave, ndërsa në krahun tjetër, Arbian Mazniku e mohon këtë dhe thotë se ai është politikan dhe po merret me hallet e qytetarëve. Akuzat tuaja socialistët po i barazojnë me alibi për humbje.
Ervin Salianji: Shqipëria ka një bandë dhe një drejtues, Edi Ramën, i cili kontrollon jo vetëm institucionet por nëpërmjet represionit dhe ofertave që ofron pushteti, lëviz edhe fijet e grupeve të krimit të organizuar. Në këtë kuptim, e vetmja kurë dhe ilaç për të çliruar Shqipërinë dhe për ta bërë një vend normal dhe të jetueshëm për të gjithë, me barazi para ligjit, me meritokraci, me punë e talent e jo me llum e batak, siç e ka mbytur autokrati, është pjesëmarrja masive e qytetarëve dhe vota kundër qeverisë.
Merita Haklaj: Çfarë do t’u thoni atyre që nuk shohin mundësi për rotacion? Këtu janë dy kategori: qytetarët që mund të mbështesin opozitën, por nuk besojnë në fitore mbi Ramën. Janë dhe kategoria tjetër që edhe në rast rotacioni shohin thjesht ndryshim të karriges, por jo të politikës.
Ervin Salianji: Vota është i vetmi instrument për të ndryshuar. Nëse dëshpërimi kaplon dhe mbyt shpresën për ndryshim e për jetë më të mire dhe demotivon votuesit, kjo është ajo që dëshiron Edi Rama dhe në praktikë, përkthehet në votë për të, për autokracinë. Çdo neglizhencë, mospjesëmarrje apo apati është në favor të tij. Dhe këtu e ka bazuar sundimin, pasi nuk ka një bilanc, ose më saktë, ka një bilanc tragjik. Dhe krijimi i kësaj klime, është një prej dëmeve që ai i ka bërë shoqërisë. Po prapë, unë jam besimplotë, se qytetarët do të gjykojnë e do ta shprehin verdiktin e tyre siç duhet.
Merita Haklaj: Zoti Salianji, shpesh opozita flet për krizë. Antonio Gramshi thotë se “kriza konsiston pikërisht në faktin që e vjetra po vdes dhe e reja nuk mund të lindë”. Ju si politikan i ri a ndani këtë mendim?
Ervin Salianji: Mendimi im është që ende nuk ka rregulla loje, në demokraci mund të jetë kjo devizë, dhe janë luhatjet, ulje-ngritjet e shoqërisë ose dialektika historike. Kurse në autokraci, ku gjithçka kontrollohet nga një zyrë është thuajse e pamundur të kesh gjykime. Shpresa e vetme për ndryshim real është pjesëmarrja e qytetarëve dhe përfshirja e të rinjve, intelektualëve dhe çdo shtresë në politikë. Mendim im është që Shqipëria ka nevojë për ndryshim rrënjësor! Përmbysje totale.
Merita Haklaj: Zoti Salianji a keni kërkuar leje gjatë kësaj periudhe për pak ditë liri, për aq sa ligji mund të lejojë? Nëse po, cila ka qenë përgjigja?
Ervin Salianji: Ligji i jep të drejtën çdo të burgosuri të përfitoje leje pasi kryen gjysmën e dënimit. Por këtu i referohemi ligjit. Ndërkohë, sundon autokrati dhe ai nuk njeh norma, dhe njësoj siç jam dënuar pa ligj për të më shmangur nga fushata dhe për të më grabitur mandatin që kisha dhe kandidimin e ri, më kanë mohuar në Mars, Prill dhe deri në këtë periudhë edhe lejen. Qartazi, për të më privuar nga çdo kontakt apo pjesëmarrje në fushatë. Njësoj më kanë ndaluar dhe intervistat për televizionet, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të mediave.
Merita Haklaj: A do votoni?
Ervin Salianji: Me zor po e pres ditën e votimit. Do të votoj dhe ftoj çdo qytetar të dalë të Dielën, të japë kontributin e tij për ndryshim në kutinë e 11 Majit. Çdokush do ta kuptojë se ajo kohë e shpenzuar të Dielën, do të jetë investimi më i madh, jo vetëm për 4 vitet e ardhshme! (A2 Televizion)