Ilir Meta në Debat, nga përballja me SPAK, te largimi i bashkëshortes nga partia

Nga A2 CNN
9 Maj 2024, 22:11 | Politikë

A i zbuloi Ilir Meta tradhtarët? “Nuk drejtohet partia si autobusi i Kuçit”

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ishte i ftuar në Debat me Alba Alishanin ku foli për zhvillimet politike, mes të cilave dhe Konventën në partinë e tij që u mbajt pak ditë më parë, ku më herët ai i kishte shpallur luftë tradhtarëve dhe lidhjeve nepotike.

Ilir Meta deklaroi se nuk pati të shkarkuar nga Partia, por një ristrukturim, teksa shtoi se tashmë sipas statutit detyra janë të përcaktuara në vertikalitet.

“Kryetema ishin 5 prioritetet për miliona shqiptarë që ndalojnë shpopullimin dhe mbajnë të rinjtë këtu që të mos largohen për shkak të taksave. Meritokracia vendos në këtë forcë politikë. Ka qenë konventa më demokratike që ka ndodhur në Shqipëri. U çel me këngën “Për ty Atdhe” dhe u mbyll me “Ku ka si ty o Shqipëria ime”. Konventa kishte një çlirim energjish. Çfarë problemesh kishte Brahimllari. Nuk mund të ishte më nënkryetar pasi nuk ishte në statut. Kështu ndodhi dhe me Neshon dhe shumë të tjerë. Partia ka nevojë për drejtim të qartë, përgjegjësi të ndara, duhet një parti demokratike, të ketë fraksione. Por tani ka vertikalitet, presidenti është president dhe secili ka detyrën e tij. Nuk është shkarkuar askush. Dihej që nuk do të kishte më tradhtar. Nuk drejtohet partia si autobusi i Kuçit”, tha Meta.

Gjuha e ashpër ndaj Kryemadhit, Meta: Sulmova fenomenin, jo individin

Retorikën e ashpër ndaj ish-kryetares së Partisë së Lirisë, njëherazi dhe bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi, Ilir Meta e konsideroi si të zakonshme në një aksion politik,  kur denoncon një fenomen të caktuar, siç është nepotizmi. Thënë ndryshe, i ftuar në Debat në A2 CNN, Meta thotë ka sulmuar nepotizmin, si fenomen në parti dhe në administratë, dhe jo Monika Kryemadhin. 

Ajo puna e retorikës e mënyrës së komunikimit është një zgjedhje e imja që ka të bëjë me fenomenin, jo me individin”, tha Meta.

Përballë gazetares Alba Alishani, Meta foli me superlativa për rrugëtimin e Monika Kryemadhit në politik.

“Kryemadhi ka meritat e saj në 2005 ka arritur një ndër rezultatet më të mira me gati 30% në Kombinat përballë ministrit të Brendshëm, ajo është prej kontributeve të veta që ka aderuar që 17 vjeç. I vetmi debat ka qenë se Kryemadhi ka propozuar 30%, ne e çuam në 50% për përkrahjen ndaj grave”, tha Meta në A2 CNN.

Meta: Dumani, kancelari i SPAK-ut që përcjell shkresat për llogari të Ramës

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë nëse është thirrur në SPAK, për dosjen CEZ-DIA. I ftuar në A2 CNN në Debat me Alba Alishani, Meta tha se është thirrur në Prokurorinë e Posaçme, “për qejf të Edi Ramës”.

“Unë kam qenë në SPAK shumë seriozisht, për një çështje qesharake. Edhe për Cez DIA nuk kam asnjë lidhje unë, jo ka qenë në 2019 kur kam qenë në kulmin e presioneve që të shkelja Kushtetutën.  Unë atje jam thirrur për qejfin e Edi Ramës, por kam shkuar për të respektuar”, tha Meta.

Ndonëse nuk ka më një retorikë të ashpër, si “Dumdumani” apo “palaço”, Meta ka vijuar akuzat në drejtim të Altin Dumanit.

“Altin Dumani nuk është drejtuesi por fatkeqësisht kancelari i SPAK-ut, që thjesht përcjell shkresat për llogari të Edi Ramës. A është thirrur ndonjëherë Edi Rama nga SPAK-u? Edi Rama përgjegjësi kryesor për aferën e inceneratorëve nuk është thirrur asnjëherë nga SPAK. Erion Veliaj duhet të ishte arrestuar para 4 vitesh. Kjo tregon çdo gjë”, tha Meta.

Në këtë kuadër, tregon se nuk ka besim as te SPAK. Madje fakti që kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj është thirrur në SPAK për Inceneratorët për Metën është shumë vonë pasi do duhet të ishte arrestuar 4 vite më parë, pasi nuk ka asnjë incenerator. Gjithashtu, flet edhe për kërcënime për Arben Ahmetajn.

“Veliaj hëngri drekë në SPAK 7 orë, ça ka bërë atje, ai ka hedhur firma, ka rrëmbyer, uzurpruar kompetencat e këshillit Bashkiak, për gallatë atje.  Mbi SPAK ka qenë Agaci dhe pastaj ai tjetri. (...)Nëse kërcënohet një zv kryeministër që tregon fakte të qarta se si u synua të mbyllej një dosje e tmerrshme si e inceneratorëve ku autorë janë Edi Rama dhe general Agaçi, dhe ky person flet dhe tregon pronarin e vërtetë të inceneratorëve, nëse pastaj dilet dhe thua që gjykatat bëjnë ç’a themi ne. Me 4 mbiemra gjyqtarja izolon Berishën, që është lideri i partisë kryesore opozitare, izolohet se Rama e ktheu kompleksin sportivë në kulla betonit”, përfundoi Meta në A2 CNN.

Meta: Unë frikë nga burgu? Po më habit! Kryemadhi? Përgjegjësia është individuale

Prej kohësh po flitet për një masë sigurie që pritet të jepet ndaj Ilir Metës, mirëpo ai thotë se nuk ka asnjë stepje. I ftuar në A2 CNN, në Debat nga Alba Alishani, presidenti i Lirisë tha se nuk ka asnjë frikë nga burgu.

“Po ca burgu, unë frikë nga burgu, më habit. Shqiptarët më dinë dhe më njohin mua, ju duhet të kuptoni që përpjekja e tyre është për të frikësuar shqiptarët e ndershëm duke goditur politikisht Berishën, e godasin se ka dalë kundër ndarjes së Kosovës dhe projektet për shpopullimin e Shqipërisë. As nuk kam asnjë droje, Partia e Lirisë e ka zgjidhur me konventë lidershipit për 30 vitet që vijnë dhe çështjen e financimit, dhe Partia e Lirisë i përgjigjet kujdo atje ku e ka strofullën, këto mercenarë ca janë këto Dumanë, pas Rama. Liria ime është në dorën time, Rama dhe Dumani janë në burg sepse janë peng i gjërave që kanë bërë”, tha Meta.

Sa i përket Monika Kryemadhit e cila thirrur në SPAK për fshehje pasurie, Meta dha të njëjtën përgjigje si kryeministri Edi Rama “për mollat e kalbura që bien nga pema”. Sipas tij, përgjegjësia është personale.

“Përgjegjësia është personale për çdo person. Ai ka përgjegjësi se ka firmosur 17 vendime me kundërshtim me ligjin”, përfundoi Meta në A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos