Kush mban përgjegjësi? Kjo është pyetje e ngritur nga Partia Demokratike, për projektet e lëna përgjysmë në Bashkinë e Tiranë, për shkak se investimi iu është dhënë drejtorëve, që sot janë në burg. Anëtari i Kryesisë në PD, Grigels Muçollari u ndal pranë Kinostudios në Tiranë, ku tha se janë dhënë 4 mln euro për investim për rehabilitimin e zonës, por sot ajo është kaos. Përgjegjës, për Partinë Demokratike është vetë kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj.
“Jemi këtu pranë Kinostudios në Tiranë, siç e shihni në një kaos urban, në një punë të lënë përgjysmë. Ky investim, ju dha kompanisë së drejtorëve të Veliajt, ju dha të famshmes 5D.
Mbi 3 vite që kane nisur punimet. Rreth 4 milionë euro fond, nga taksat e qytetarëve të Tiranës. Ja ku jemi sot. Një ferr për banorët e për këdo qe e sjell puna këndej .Sipas kësaj tabele, që tani Bashkia e ka hequr, rehabilitimi i qendrës Kinostudio, do të merrte 12 muaj. Kanë kaluar 3 herë nga 12 muaj. Paratë me siguri drejtorët e Veliajt i kanë marrë se u duheshin për hotelin luksoz që po ndërtojnë në Durrës. Po detyrimi ndaj publikut, ndaj qytetarëve, ndaj ligjit? Kush mban përgjegjësi sot për këtë katrahurë e abuzim? Askush nuk ka dalë të japë një sqarim. Sepse ky nuk është i vetmi kantier i 5D në Tiranë i lënë përgjysëm. Po ashtu është shëtitorja tek Liqeni i Thatë. Kush do përgjigjet pra? Përgjegjës sigurisht është Erjon Veliaj”, tha Muçollari.
Për këtë arsye, ai i fton sërish qytetarët në protestë, për të larguar nga zyra Erion Veliajn.
“Për këto afera në kurriz të njerëzve ai duhet të shkojë sa më shpejt para ligjit dhe të largohet nga zyra që ka turpëruar.I ftoj qytetarët të bashkohen në protestën para Bashkisë të martën, për të kërkuar drejtësi. Drejtësi për ata, për banorët, për qytetin”, përfundon deklaratën e tij Muçollari. (A2 Televizion)