Ish-ministri i Drejtësisë: Sfida e SPAK, zbardhja e kontratës së krimit me politikën

Nga A2 CNN
10 Janar 2025, 21:51 | Politikë

"Zbardhja e kontratës së krimit me politikën e viteve 2017-2021, është sfida e organeve të drejtësisë në Shqipëri". Kështu u shpreh ish-ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi, në “Çdo kënd” me Merita Hakjan në A2 CNN, sipas të cilit, nëse nuk vihen para drejtësisë zyrtarët e lartë të përfshirë, do të thotë se sistemi ka dështuar.

“Vendimet e gjykatave ndërkombëtare duhet të shërbejnë si bazë shumë e mirë për magjistratë që kanë në dorë këto dosje gjithçka që kanë marrë nga gjykatat e huaja t’ia komunikojnë mbrojtjes dhe të zbardhin sa më shpejt të vërtetën, të çojnë para drejtësisë të gjithë ata të përfshirë. Kjo është sfida që organet drejtësisë ka, nëse nuk vepron do të thotë që kanë dështuar. Nëse nuk nxjerrin emrat e zyrtarëve të lartë të gjyqësorit që janë përfshirë në çështje siç kemi “Toyota Yaris” që kemi një prokuror në burg, apo në çështjen “Metamorfoza”. Ka dyshime që ka gjyqtarë e prokurorë që janë të përfshirë dhe nëse nuk dalin kanë dështuar. Nëse nuk nxjerrin kontratën e krimit me politikën që ka ndodhur në 2017-2021 do të thotë që sistemi ka dështuar. Janë para kësaj sfide”.

Në A2 CNN Halimi theksoi se organet e drejtësisë nuk kanë asnjë pengesë për të provuar dokumentet, por sipas tij drejtësia duhet të provojë që vepron me një standard.

“Për momentin nuk kanë asnjë pengesë. Ato prova dokumentare dhe indicie për të provuar që këta kanë vrarë apo nëse e kanë marrë apo jo këtë tender. Janë në këtë lloj sfide. Janë me mijëra faqe. Procese të tilla kanë kërkuar kohë dhe në Belgjikë. Në Shqipëri sa ka filluar. Duhet të kemi durim dhe të kemi besimin që drejtësia vepron me një standard dhe jo standarde. Nëse i fsheh ka dështuar”.

Ish-ministri i Drejtësisë tregoi në A2 CNN se zbardhja e SKY ECC çoi në zbulimin e zonave të kërcënuara nga kontrata sipas tij e krimit me politikën.

“Përmbajtja e një arme të jashtëzakonshme që ka patur prokuroria kishte të bënte me përfshirjen jo vetëm të numrit të madh të shqiptarëve, ku shqipja ishte gjuha e tretë më e përdorur, por ishin të përfshirë zyrtarë të lartë të drejtësisë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Belgjikë, edhe në Gjermani, dhe ajo që ishte një element shumë i rëndësishëm, jo vetëm për Shqipërinë, ishte kontratë e lartë e krimit me politikën. “Ju më ndihmoni mua të fitoj zgjedhjet dhe unë ju jap tendera, ju shpall investitor strategjik, ju jap leje për të zhvilluar trafikun e drogës”. Nga ky thesar doli në dritë në Shkodër, Vlorë e Durrës siguria publike është kërcënuar fort nga kontrata e politikës me krimin”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos