Takimet e bëra nga zyrtarët e Partisë Demokratike në disa vende të Evropës dhe në SHBA, për Sali Berishën janë larg të arriturit një rezultat pozitiv në zgjedhjet e 11 majit. Në mbledhjen e parë me deputetët, lideri i opozitës kërkoi një marsh më shumë nga të gjithë.
“Ka filluar identifikimi i emigrantëve, janë bërë një seri takimesh në Greqi, Itali, SHBA, Britani e madhe. Por po të kemi parasysh planetin si konstituencë, këto janë pika uji në oqean, këto që kemi bërë ne deri tani”.
Angazhimi, tha ai, duhet të jetë me të njëjtin ritën si brenda dhe jashtë vendit.
“Siç e kemi flamurin, njëra kokë në Shqipëri dhe koka tjetër në emigracion dhe diasporë”.
Të gjithë deputetëve u kërkoi mbështetje për Koordinatoren për Diasporës, Jozefina Topallin, me detyrën për ku tashmë kanë detyrë që të organizojnë takime jashtë vendit me synimin për të trefishuar votat.
“97 përqind e jona kanë të paktën 3 deri në 10 persona nga rrethi i vet. Por nëse e bëjmë vetëm ne, kjo ndonjë gjë të madhe nuk sjell. Por nëse bindim çdo demokrat e demokrate, mbështetëse e mbështetës ta bëjë këtë, kjo sjell 2, 3-fishimin elektoratit tonë. Ka një urrejtje të madhe ndaj Edi Ramës dhe qeverisë”.
Më herët në konferencën për mediat, Berisha pohoi se ende nuk e ka një agjendë për udhëtimet e tij jashtë vendit.
“Nuk kam përcaktuar akoma agjendën e takimit dhe as vendit. Por takimet po vazhdojnë”.
Berisha pranoi për herë të parë se mes demokratëve dhe socialistëve janë duke u zhvilluar negociata për ndërhyrje në Kodin Zgjedhor për të lehtësuar sa më shumë votimin nga jashtë. Ai pohoi se nuk do të kushtëzojnë këto ndryshime me kërkesën e vjetër për rikthimin e koalicioneve. (A2 Televizion)