“Ka takuar McGonigal”, Meta sulmon kreun e SPAK, Dumani mohon akuzat

Nga Anesti Barjamemaj
16 Prill 2024, 17:36 | Politikë

“Jam Ilir Meta o super budallenj dhe super tarallak, ku do ku jeni në politikë dhe SPAK.”

Me një sërë epitetesh dhe akuzash, konferenca e kësaj të marte e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, u fokusua tek kreu i SPAK, Altin Dumani.

Meta e akuzoi në mënyrë direkte, duke iu referuar si “kushëriri i Nuredin Dumanit”, një ish-pjesetar i krimit te organizuar, sot bashkëpunëtor i drejtësisë.

Kreu i PL shkoi me tej kur akuzoi se drejtuesi i SPAK ka takuar ish-agjentin e FBI, Charles McGonigal dhe se po punon për vrasjen e demokracisë në vend.

“Ju prisni të thotë kushëriri i Nuredinit që ka takuar McGonigalin? Afërmendsh që askush nuk e pret. Afërmendsh që nuk presim sinqeritet dhe integritet nga një i papërgjegjshëm, nga një delinkuent. Nuredini vërtetë ka bërë vrasjet që ka pranuar vetë, por ky karaifil kujton se do bëhet një vrasës i pluralizmit politik në vend”.

Akuzave të Ilir Metës, Dumani iu përgjigj me anë të një deklarate për mediat ku mohon të jetë takuar me McGonigal.

“Unë nuk e kam takuar kurrë McGonigal. Gjithçka që është thënë në media, është në vazhdën e akuzave të vazhdueshme, të pabaza që bëhen për institucion që unë drejtoj. Nuk ka pasur asnjë arsye për të takuar McGonigal, as nuk e kam njohur kurrë dhe emrin ia kam dëgjuar pas publikimeve në mediat shqiptare,” deklaroi Dumani.

Pavarësisht toneve të larta kundër Dumanit, Meta deklaratat e tij nuk i konsideron kërcënime dhe as sulme.

“Unë nuk jam nga ata që kërcënoj aq më tepër drejtësinë”.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli