Mandati tjetër për drejtësinë, Rama "kërcënon" SPAK: Mos guxoni të më merrni telefonin

Nga Fjorela Beleshi
12 Shkurt 2025, 15:06 | Politikë

Sulmi i nisur ndaj SPAK - nën etiketën “kritika konstruktive” - u kthye në qëndrim grupi parlamentar, kur Edi Rama para deputetëve socialistë nuk hezitoi të krahasonte Prokurorinë e Posaçme me Hetuesinë e diktaturës komuniste, pas arrestimit të Erion Veliajt.

“Ne nuk jemi këtu hunj gardhi që thjesht dhe vetëm të përcjellim lajme. Në të kundërt, ne biem në një situatë që ngjan më shumë me të shkuarën sesa me të ardhëm. Pse sepse diktaturë apo republikë hetuesish, Shqipëria ka pasur në të shkuarën. Kjo është një republikë parlamentare, ku në bazë të Kushtetutës pushtetet janë të pavarura”, tha Rama.

Me aludimin se Veliaj ndodhet në burg vetëm për fustanet dhe bizhuteritë e bashkëshortes, Kryeministri pohoi se dosja e SPAK nuk ka prova dhe sfidon publikisht në gjetjen e tyre. Ai vetë duket se ka nisur një kundër hetim duke takuar dhe biseduar me dëshmitarët e kësaj dosje, të cilët thotë se janë intimiduar.

Fjalë të ngjashme me ato të Veliajt përdori kundër prokurorit, teksa tentoi të rrëzojë pretendimet mbi emërimin e ish-zv/ministres Gentiana Sula.

Sulmi vijoi ndaj gjyqtarit që vendosi për arrestimin e Veliajt, duke e cilësuar të afërt me demokratët, siç kishte bërë edhe kryebashkiaku nga qelia. Për këtë shfrytëzoi mesazhin e dërguar në celularin e tij nga një qytetar, manovër e ngjashme me ato të Sali Berishës.

Duke ngritur dyshime se SPAK po vepron me “balanca politike”, Kryeministri i tregoi Altin Dumanit vijën e kuqe se ku nuk duhet të shkelë. Shqipëria 2030 dhe anëtarësimi në BE u harruan. Rrethanat e reja detyrojnë ndryshime në motivacionin e një mandati të kartërt. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos