Marrëveshja për diasporën në rrezik, Berisha vendos kusht votimin edhe me dokument identifikimi jo shqiptar

Nga Anesti Barjamemaj
24 Janar 2025, 15:17 | Politikë

Sali Berisha duket se është tërhequr nga drafti i dakordësuar me socialistët që kishte marrë rrugën e diskutimit dhe miratimit në Kuvend, ku synohej lehtësimi i votimit të diasporës. Për të dhënë votat që më herët kishte premtuar, vendos kusht njohjen e letërnjoftimeve të huaja gjatë procesit të regjistrimit të emigrantëve.

“Asnjë votim nuk bëhet për këtë çështje në parlament, në rast se u mohohet, nëse parlamenti nuk pranon, por sanksionon praktikën e mohimit të 2/3 të shqiptarëve të drejtën për të votuar, as bëhet fjalë që ne nuk pranojmë kurrë këtë. Është jashtë çdo lloj mundësie ta pranojmë këtë”, tha Berisha.

Kur pyetet se përse këto kushte nuk u vendosën në tryezën e ndërmjetësuar nga KQZ mes palëve, për të dalë me një draft të plotë të përbashkët, Berisha përgjegjësinë e hedh tek Edi Rama.

“Nuk mund të imagjinohej, të them të vërtetën, që dikush do mund të guxonte të thoshte që do votojnë vetëm ata që kanë dokumente shqiptare. Pasi merr pasaportën amerikane, gjermane apo franceze, ajo është pasaportë më e fuqishme shumë se e jotja. Çfarë të duhet ajo, mund ta mbash vetëm si një relike. Nuk mund të shkonte mendja se ky mund të ngrihet kundër saj”, u shpreh Berisha.

Por teksa vijon luftën me PS për të gjetur një dakordësi për kërkesat e saj, demokratët kanë nisur edhe betejën e brendshme për primaret. Berisha u kujdes që të shuante çdo zë kundër këtij procesi, ku tha se statuti është mbi të gjithë.

“Drejtuesit politikë të qarqeve do të vendosë Këshilli Kombëtar. Por lista e mbyllur do të përcaktohet nga gara, nga primaret dhe rezultati në primare”.

Lidhur me non gratën në SHBA, mohoi të ketë ndonjë kontratë lobimi në emër të tij për heqjen e saj, por pohoi se do ta ndërmarrë së shpejti këtë proces.

“Me rikthimin e presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe ndryshimin e Sekretarit të Shtetit, unë pa diskutim që do bëj përpjekjet e mia pranë kësaj administrate për anulimin e një vendimi korruptiv fund e krye”, tha Berisha.

Berisha tha se deri më tani nuk ka shpenzuar asnjë para për lobim, por nëse do kryhen veprime të tilla do të konsultohet së pari me juristë.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos