Një ditë më parë përfaqësues të VLEN në Maqedoninë e Veriut pretenduan se nuk u lejuan të futeshin në territorin shqiptar. Bëhet fjalë për koordinatorin e grupit parlamentar të Vlenit, Bekim Qoku, deputetin Adnan Azizi dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Hasim Murtezani, të cilët janë ndaluar për rreth një orë pa asnjë shpjegim zyrtar, ndonëse të tre ishin të pajisur me pasaporta diplomatike.
Të enjten, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, sqaroi se ndaj Qokut, Azizit dhe Murtezanit nuk ka pasur asnjë urdhër ndalimi, por ata vetë kanë zgjedhur të mos kalojnë kufirin.
“Në pikën kufitare janë paraqitur katër persona, tre prej të cilëve me pasaporta diplomatike. Atyre iu është bërë e ditur se mund të futen në Republikën e Shqipërisë, kurse një person që i shoqëronte i cili kishte pengesa të ligjshme në kufi, nuk ka mundur të udhëtojë drejt Shqipërisë. Në këtë kuadër të tre personat nuk kanë pranuar të vazhdojnë dhe janë kthyer në Maqedoninë e Veriut.
Por zoti Qoku, i ftuar në “Puls” nga Bruna Çifligu në A2 CNN, deklaroi se dyshojnë që në Shqipëri ka një listë “non grata” për përfaqësuesit e kësaj force politike. “Ajo çfarë na bëri, na la me dyshime, ishte që në kthim, pra në pikën kufitare të kthimit që janë, dy policë nga dy palët në të njëjtën kabinë, . polici i palës maqedonase, kur na ktheu pasaportat, na tha që “ju me siguri ju kanë kthyer mbrapsht sepse këtu figuroni”, sipas kolegut të tij shqiptar, “figuroni që keni ndalesë hyrjeje dhe me siguri ju kanë refuzuar hyrjen”. Ne thamë “jo”, ata na lejuan të vazhdojmë rrugën por ne vendosëm që të kthehemi. Pra është një lloj paqartësie, një lloj mjegulle me statusin tonë në pikat kufitare me Republikën e Shqipërisë dhe kjo na lë një shije të hidhur”, deklaroi Qoku.
“Kemi kërkuar nga autoritetet shqiptare nëse është e vërtetë ky pohim, që ne të tre ishim në tre ishim në listën e ndalesës ose refuzimit të hyrjes dhe nëse se ekziston një listë e tillë që flitet, që është rreth 50 persona. Jam në fushën e spekulimit, sepse nuk kemi përgjigje zyrtare”.
Sipas tij, kjo lidhet me faktin se ai vetë, por edhe persona të tjerë nga VLEN, kanë mbështetur protestat në Shqipëri, ku po kërkohet dorëheqja e Kryeministrit Edi Rama. “Unë të paktën kam menduar që këto gjëra ndodhin vetëm në sistemin diktatorial kur ishte Enver Hoxha në pushtet, regjimi i diktaturës kur filtroheshin njerëz që do hynin në territorin e Shqipërisë. Por ja që siç duket po vazhdojmë me këto lloj sistemesh. Ne, unë kam qenë kam qenë mbështetës i protestave dhe besoj që këtu duhet të bazohet ky lloj refuzimi”, tha Qoku. (A2 Televizion)