
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka publikuar një dokument që tregon një urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë për ndryshime në organikën e Qendrës së Mjekësisë Familjare Nr. 10 dhe Qendrës Shëndetësore të Specialiteteve Nr. 1 në Tiranë.
Sipas Nokës, ministrja Evis Sala ka lënë mbi 100 mijë qytetarë pa mjekë specialistë, ndërsa dhjetëra mjekë po grumbullohen në qendra ku, sipas tij, mungojnë si ambientet ashtu edhe pacientët.
“Evis Sala nuk po drejton shëndetësinë, por po vepron për llogari të Klodian Allajbeut.
Teksa lë mbi 100 mijë qytetarë pa mjekë specialistë, grumbullon dhjetëra mjekë në qendra ku mungojnë edhe ambientet edhe pacientët.
Ky nuk është reformim i shërbimit shëndetësor, por manovrim në funksion të interesave klienteliste. Shqiptarët duan që shëndetësia t'u shërbejë atyre, jo klientëve të Edi Ramës”, shkruan Noka krahas urdhrit. (A2 Televizion)