“Këshilli i Lartë i Prokurorisë ndoshta mbetet një nga institucionet më të dobëta të sistemit të drejtësisë”. Fatmir Xhafaj nuk i kurseu fjalët përballë Mirela Bogdanit në Komisionin e Mbikëqyrjes Institucionale, duke akuzuar KLP-në për vendimmarrje të vonuara dhe të diskutueshme. Drejtuesja e të ashtuquajturës “qeveria e akuzës” kërkoi ndjesë për debatet, shpesh joetike, të dala edhe në media.
“Më lejoni që të kërkoj ndjesë në emrin tim personal, por edhe në emër të një pjese të anëtarëve të Këshillit. Besoj se kemi komunikuar për tonet shpeshherë të ngritura gjatë debateve, apo edhe për mënyrën se si janë adresuar problematikat e Këshillit”, tha ajo, përcjell A2 CNN. “Por duhet të kemi parasysh që në institucione kolegjiale, ku përbërja nuk është homogjene, por heterogjene, me anëtarë që vijnë nga grupe të ndryshme, lindin natyrshëm konflikte, ashtu si edhe interesat që përfaqësojnë njerëzit që bëhen pjesë e Këshillit”.
“Është krijuar një perceptim që vendimmarrjet në Këshill janë të lobuara, qoftë për promovimet, qoftë për transferimet, gjë që reflektohet më pas edhe në krijimin e grupeve të brendshme për të dominuar vendimmarrjet. A mos kjo situatë etike dhe mënyra se si shfaqet etika publike e Këshillit lidhet pikërisht me këtë lloj tensioni të brendshëm?”, pyeti Xhafaj.
“Prokurorët vijnë nga sistemi dhe, dashur pa dashur, i njohin prokurorët. Dikush ka njohje edhe më të avancuara për shkak të eksperiencës së gjatë në punë. Nëse situata do të ishte kaq brilante, nuk do të kishte qenë e nevojshme cenimi i korporatizmit të magjistratëve. Prandaj është vendosur ndërthurja e institucioneve me anëtarë që vijnë edhe jashtë sistemit”, u përgjigj ajo.
Xhafaj nuk pranoi t'i justifikonte problemet e KLP-së me natyrën kolegjiale të vendimmarrjes, duke vënë theksin te efikasiteti i punës së anëtarëve.
“Sa ditë në vit anëtarët e Këshillit janë në punë dhe nuk janë par time apo jashtë shtetit? Sa herë që ne duam t'ju kontaktojmë, për një raportim apo për një prezencë, përgjigjja e parë që marrim është: 'Jemi jashtë shtetit'. Nuk e kuptoj se çfarë ka Këshilli për të shkuar kaq shpesh jashtë shtetit”.
“Nuk gjykoj se kanë qenë raste të shumta, apo edhe të rralla, këto lëvizje jashtë shtetit. Nuk jemi një institucion që kemi lëvizje të shumta”, tha Bogdani.
“Se të gjithë thonë 'qeveria, qeveria', por shqiptarët nuk kanë pse t'i kërkojnë llogari asaj qeverisë që është këtej. Për çështjen e stokut, për cilësinë e hetimit dhe për shkeljen e të drejtave të njeriut, jeni ju qeveria”, iu përgjigj Xhafaj.
Ashtu si Xhafaj, edhe Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, shprehu rezerva ndaj KLP-së.
“A ka diçka që duhet të ndryshojë?”, pyeti Xhafaj.
“Para kujt përgjigjet individualisht për performancën e tij një anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë? Mungon lidhja direkte. Ndërkohë që ne sot kemi përjashtuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë Prokurorin e Përgjithshëm, i cili mban përgjegjësi për mënyrën se si funksionon sistemi. Kemi përjashtuar edhe ministrin e Drejtësisë, pra në emër të pavarësisë”, tha Çelaj.
Sistemin e vlerësimit të prokurorëve, të mbetur prapa në kohë, Olsian Çela e konsideroi të dështuar, duke kërkuar ndryshime ligjore.
“Sistemi i vlerësimit sot nuk është më efektiv. Prokurorët duhet ta ndjejnë peshën e vlerësimit mbi atë që janë duke bërë sot. Aktualisht nuk e ndjejnë këtë peshë dhe kjo është një nga arsyet që mund të ndikojë në rritjen ose uljen e performancës së tyre. Ky është një hap i guximshëm, një vendim politik që kërkon ndryshim ligjor, por është një çështje që duhet ta trajtojmë me ballin lart dhe të pranojmë se këtu kemi dështuar. Kjo është një çështje që duhet ta pranojmë”, tha Çelaj. (A2 Televizion)