Parlamenti nën rrethim, tensione jashtë Kuvendit, protestuesit përplasen me Policinë

Nga Indrit Maraku
27 Korrik 2026, 14:39 | Politikë

Mëngjesi i të hënës e gjeti sërish Parlamentin të rrethuar nga të katër anët me gardhe të Policisë.

Seanca e zhvilluar jashtë radhe e Kuvendit mblodhi dhjetëra protestues të pajisur me shporta me vezë, por edhe me fruta. Përgatitja për t’i hedhur ato drejt policisë apo deputetëve nuk u realizua, ndërsa përpjekjet për të çarë kordonin blu u pasuan me shoqërime.

Këto pamje tregojnë momentin kur Dritan Goxhaj ndalohet nga efektivët e Policisë për t’u shoqëruar në komisariat.

Arben Kolapo i shpëtoi tentativës së parë për t’u shoqëruar, duke u futur në një korsi për të kaluar në anën tjetër. Megjithatë, edhe rezistenca e tij zgjati pak. Disa efektivë e kapën nga këmbët dhe krahët, për ta ngritur dhe dërguar drejt automjetit të Policisë.

Protestuesit u shpërndanë në disa grupe, ndërsa marshuan disa herë nga Sheshi i Ushtarit të Panjohur drejt Ministrisë së Brendshme dhe më pas drejt Urës së Rrugës së Elbasanit. Në çdo rrugë që të çonte drejt Parlamentit, ata u përballën me efektivët e Policisë.

Makinat ujëhedhëse të Policisë nuk u përdorën, ndryshe nga seanca e javës së kaluar. Po ashtu, edhe vezët e përgatitura nga protestuesit mbetën të paprekura, të paktën deri në mbylljen e seancës së parë. Policia shoqëroi gjashtë protestues, të cilët u liruan pas rreth dy orësh. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos