Pas Xhaçkës edhe Sina, PD kërkon ta çojë në kushtetuese, deputeti i PS merr kohë të mbrohet

Nga Ervin Koçi
4 Shtator 2024, 14:18 | Politikë

Teksa ende pritet qasja e mazhorancës për mandatin e Olta Xhaçkës, Kuvendi nisi shqyrtimin e kërkesës së opozitës për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese edhe mandatin e deputetit socialist Vullnet Sina. Në mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit, PD ngriti pretendimin se ai ka qenë përfitues i parave publike nëpërmjet një kompanie private që zotërohet prej tij. Këto qëndrime u hodhën poshtë nga Sina i cili kërkoi më shumë kohë për të bërë oponencën juridike te kërkesës së PD, raporton A2.

Në një kohë që socialistët nuk kanë ende një vendimmarrje për çështjen Xhaçka, Këshilli i Mandateve nisi shqyrtimin e kërkesës së demokratëve për dërgimin e legjitimitetit të mandatit të socialistit Vullnet Sina në Gjykatë Kushtetuese.

Shkak ishin disa procedura prokurimi të bëra nga një kompani që zotërohet nga socialisti Sina, për të cilat Grupi i PD-së është i mendimit se bien ndesh me mandatin e deputetit, të cilit nuk i lejohet të përfitojë nga fondet publike.

“Mos prisni nga asnjë deputet që është betuar mbi këtë kushtetutë që ne qoftë edhe për një lekë të mbyllim sytë që një deputet ka përfituar fonde publike”, deklaroi Bardhi, raporton A2.

Vullnet Sina u paraqit personalisht në Këshillin e Mandateve për t’iu përgjigjur akuzave, ku në replika e sipër, duket se pranoi se në llogari të tij kishin hyrë disa para, por jo aq sa pretendojnë demokratët.

“Të më thuash mua ke bërë namin, fillon me një shifër 36 milionë e 700 mijë, heqim 32 milionë e 200 mijë, katandiset kaposhi jot në një thellë”, u shpreh Sina, transmeton A2.

“Kjo lehtësia me të cilën ju pranoni që paskeni marrë vetëm tre milionë lekë mjafton ta mbyllim këtë seancë”, deklaroi Bardhi.

“Më vjen keq për zotin Bardhi që është lodhur për të marrë kaq shumë informacione nga thesari, si nuk i gjeti 100 milionë lekë të mijat të dhuruara gjatë tërmetit”, tha Sina, citon A2.

“Mjafton edhe 0.5 lekë të kesh marrë, je në kushtet e papajtueshmërisë së mandatit”, citon A2 Gazment Bardhin.

Debati në Këshillin e Mandateve nuk gjeti dot zgjidhe pasi socialisti Sina kërkoi më shumë kohë për t’u konsultuar me avokatët e tij, gjë që solli edhe shtyrjen e seancës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos