“Për protestën do të bëhen pishman edhe armiqtë e Shqipërisë”, Rama: Do reflektojmë sapo ta kemi lexuar me përulësi mesazhin e qytetarëve

Nga A2 CNN
30 Qershor 2026, 10:47 | Politikë

“Për protestën do të bëhen pishman edhe armiqtë e

Kryeministri Edi Rama thotë se qeveria shqiptare do të dalë më e fortë nga protesta që po zhvillohet prej më shumë se një muaji në Tiranë, që nisi fillimisht kundër një investimi në Zvërnec por që u përshkallëzua me kërkesën për largimin e tij nga detyra.

“Qytetarët kanë të drejtë të protestojnë pavarësisht se kush i drejton, manipulon, përdor dhe abuzon me hallet e tyre. Korja e mbetjeve të rrezikshme socio-politike të bulevardit dhe uji i rrjedhshëm i protestës së qytetarëve që kërkojnë të dëgjohen, janë dy gjëra krejt të ndryshme. Ai ujë që buron nga halle, shqetësime, probleme reale të jetës së çdo protestuesi apo simpatizanti të protestës, duhet kthyer dhe do ta kthejmë në energji për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian, duke ndarë me ta reflektimin tonë nga kjo protestë, sapo ta kemi lexuar me vëmendje e përulësi krejt mesazhin e zemërimit të tyre të sinqertë”, tha Rama në një postim në Facebook, përcjell A2 CNN.

“Ndërsa korja e shpifur që ka bërë bashkë plot dështakë të zemëruar të Shqipërisë, turlilloj personazhesh që japin mend që s’i kanë dhe shfryjnë dufe e mllefe për të cilat s’ua ka fajin askush veç vetes, duhet parë e treguar pa asnjë ngurrim mu siç është: Shëmbëlltyra më e zezë e alternativave politike të këtyre 35 vjetëve. Por e mira më e madhe e kësaj proteste, për të cilën do të bëhen pishman edhe armiqtë e dashakeqët e Shqipërisë që qëndrojnë pas cunamit të baltës digjitale, është se në fund nga e gjithë kjo vorbull shumica qeverisëse do të dalë me vullnetin e ripërtërirë për të qenë shumë më afër me popullin”, shtoi ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos