Aktori Genti Kame thotë se protesta që Adriatik Lapaj dhe Lëvizja Shqipëria Bëhet po zhvillojnë prej javësh para Kryeministrisë është vendosur pas një analize të situatës së rënduar në vend. Ai shtoi se pas kësaj nisme, pret reagim popullor.
“Çfarë duhet të bëjë më tepër një parti politike, një lëvizje politike për t'u hapur sytë njerëzve sesa edhe të kalojnë natën e Krishtlindjeve mbase dhe natën e Vitit të Ri aty në shesh, të trokasë gotat aty në shesh”, tha Kame në një intervistë në “Puls” nga Bruna Çifligu në A2 CNN. “Nëse shëndeti i zotit Adriatik Lapaj do ta lejojë, ai do të rrijë aty. Nëse ai merr një bronkit dhe është me 41-42 temperaturë, do vijë ambulanca ta marri dhe do ta çojë në shtëpi. Ai ka thënë edhe i vetëm do të qëndrojë, por ne vetëm nuk do ta lëmë”.
Kame komentoi edhe episodin e ndodhur mes Lapajt dhe aktorit Viktor Zhusti. Një foto e të dyve publikuar në rrjete sociale nga Lapaj, solli reagimin e aktorit. “Mua më duket që është një çështje që nuk ka absolutisht as edhe një lloj rëndësie përveçse tregtimit të vogël publik të përkohshëm të një shoqërie që pak a shumë është bërë shoqëri e Big Brotherit”, tha Kame.
“Nëse do të donim të flisnim për zotin Zhusti, do të kishte më shumë interes të flisnim për talentin e tij të papërsëritshëm artistik dhe nuk do të na dilte koha, jo për një ditë, por për javë të tëra, për të folur për gjenialitetin e këtij personi. Dhe unë u them njerëzve: shkoni shikoni shfaqjet e Zhustit, shikoni talentin e tij dhe mesazhet që ai përcjell, sepse është një nga kokat më të mençura të këtij vendi. Gjithashtu, më duket totalisht e pavlerë edhe për zotin Lapaj, sepse e shpërqendron publikun nga kauza që ai është duke ndjekur dhe nga sakrifica e tij jashtëzakonisht e madhe, si fizike ashtu edhe shëndetësore në radhë të parë. Më vjen keq për aq sa ndodhi, por unë mendoj se nuk ka ndodhur asgjë e rëndë; ka qenë një keqkuptim midis dy njerëzve dhe asgjë më tepër. Mendoj që gjëra të tilla ndodhin. Problemi nuk qëndron tek fakti nëse ndodhin apo jo keqkuptime mes njerëzve; problemi qëndron tek fakti që shoqëria përqendrohet në gjëra pa rëndësi dhe harron kauzat e mëdha”. (A2 Televizion)