“Po troket diktatura e mafies”, Noka: Parlamenti ka rënë, kushtetuta trajtohet si letër higjienike

Nga A2 CNN
25 Janar 2024, 21:09 | Politikë

“Ta harrojë Edi Rama që me ashpërsimin e rregullores na step”. Kështu u shpreh deputeti demokrat Flamur Noka në studion e Debatit në A2 CNN, pas përjashtimit nga seanca. Sipas tij parlamenti ka rënë, ndërsa opozita do të vijojë përshkallëzimin e aksionit të saj.

“E rëndësishme është që ne në linjën  tonë jemi ok. Ai parlament ku opozita nuk respektohet, nuk dëgjohet, kushtetuta nuk konsiderohet dhe ai parlament nuk mund të jetë funksional ky parlament ka rënë. Kemi një Edi Ramë aty, një kukull me telekomandë aty dhe një tufë me kartona që noterizojnë çdo gjë që i çon regjimi. Në këtë vend parlamentarizmi është duke u shuar. Këtij aksioni, Rama të nxjerrë dhëmbë e dhëmballë, nuk i ndalemi. Ne do të avancojmë do ta përshkallëzojmë aksionin”.

Noka theksoi se parlamenti nuk është më legjitim. Sipas tij ai përfaqëson bandat, kriminelët e patronazhistët, por nuk përfaqëson më shqiptarët.

“Shqiptarët e shohin si është ai parlament dhe ndërkombëtarët e kanë parë dhe kanë reaguar legjitimiteti i atij parlamenti ka rënë. Ai nuk përfaqëson më shqiptarët. Opozita është aset kombëtar dhe një parlament që kërkon të godasë asetin e kombit të vet nuk është legjitim. Një parlament që kërkon të kthejnë monizmin pa opozitë, nuk përfaqëson popullin mund të përfaqëosjë bandat, kriminelët e patronazhistët por ai parlament nuk përfaqëson popullin”.

Ai tha se në këto kushte, demokratët nga dita në ditë kërkojnë përshkallëzimin e aksionit opozitar.

“Ata që na kanë mandatuar ne kërkojnë që të respektohet kushtetuta. Kur kushtetuta trajtohet si letër higjienike nga Linda e parlamentit dhe mazhoranca votuesi ka të drejtë të thotë që; të gjeni forma të reagoni në emrin tim. Nga ditë në ditë demokratët kërkojnë që ne të përshkallëzojmë. Demokratët kërkojnë reagim dhe kërkesat e demokratëve u përkthyen në kuvend”.

Shqetësimi i deputetit demokrat është instalimi i një diktature të mafies, ndryshe nga ajo ideologjike dhe i vetmi parlament i shqiptarëve sipas tij është “rruga e shpresës”

“Vota e lirë asgjësohet, rritja ekonomike del e lartë, shqiptarët të varfëruar, shpopullimi është më keq se një luftë, vjedhja është kthyer në institucionin kryesor të shtetit. Ligjet i kontrollon dhe ligjet janë zero se ligji është Maliqi. Në këtë vend demokratët kanë të drejtë të na kërkojnë ne të reagojmë. Një neodiktaturë më e rrezikshme është duke trokitur dikur kishte diktaturë ideologjike sot ka diktaturë të mafies. Ligjet ndryshohen për interes të mafies, koncesionet, rrëmbehen prona dhe i jepen mafies, inceneratori është skenar i mafies. Ky nuk është shtet i shqiptarëve, por qeveritarëve. Shqiptarët po trajtohen si skllevër. Kemi institucionalizuar parlamentin e qytetarëve dhe Parlamenti i qytetareve është te “Rruga e shpresës”. Grupi i PD diskutoi dhe për diversifikimin e këtij aksioni se është kërkesë e shqiptarëve”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos