Adriatik Lapaj deklaroi se protestuesit kanë dalë për kauzën e demokratizimit të vendit dhe, sipas tij, për një kauzë të tillë duhet përbashkim dhe jo përjashtim.
“Ne duhet të kuptojmë që jemi të dënuar si shoqëri për të qenë bashkë për kauzat e mëdha kombëtare dhe kjo që po bëhet tani është një kauzë e madhe kombëtare. Është kauza për demokratizimin e Shqipërisë. Kjo nuk është një kauzë për një rrugicë, nuk është një kauzë as thjesht për një pronë. Kjo është qartësisht një kauzë për demokratizimin e Shqipërisë dhe mbylljen e tranzicionit shqiptar”, tha Lapaj në studion e “Puls” nga Bruna Çifligu, në A2CNN.
“Ajo që ajo që duket qartë dhe që ka ndodhur është kjo: secili ka hedhur nga një pikë kontribut në atë gotën që po derdhet. Të gjitha ato protesta i kanë shërbyer kësaj dite, të gjitha këto angazhime ndër vite i kanë shërbyer kësaj dite, duke folur, duke reaguar, duke protestuar, duke u përballur. Dikujt i është dhënë shpresë që po mund të bëhet. Dikush tjetër ka marrë guximin që edhe kur përballesh nuk është se të ndodh ndonjë gjë fatale. Dikush tjetër është inatosur nga reprezaljet që pushteti ka bërë ndaj protestuesve ndër muaj e ndër vite dhe të gjithë bashkë janë bashkuar si pika të vogla dhe e kanë mbushur atë gotën që tashmë është derdhur dhe kërkon llogari, kërkon ndryshim. Kështu që, unë mendoj që të gjithë ata që janë angazhuar publikisht në këto vite kanë kontribut për këtë që po ndodh dhe zgjuarsia e gjithë gjësë duhet të jetë përbashkimi dhe jo përjashtimi. Ne jemi në një republikë që ka nevojë për mjekim. Ne na duhet të shërojmë plagë. Ne na duhet të jemi përbashkues. Ne na duhet që t'i lëmë diferencat mënjanë. Ne na duhet që të shohim te ata që kemi në krah apo përballë, në shesh apo në qytet, cilat janë pikat e përbashkëta, interesat e përbashkëta, cilat janë plagët që bashkë mund t'i shërojmë. Ne nuk mund të ndalemi te ndasitë. Sigurisht që ne jemi njerëz të ndryshëm, por ne duhet të gjejmë ato elementë që na përbashkojnë drejt qëllimeve të mëdha të përbashkëta dhe këto nuk janë thjesht të thëna apo thjesht dogma. Këto janë e vetmja mundësi dhe kjo është e vetmja rrugë si mund të dilet nga tranzicioni”, shtoi Lapaj.
(A2 Televizion)