Shqipëria, Italia dhe Emiratet e Bashkuara firmosen në Abu Dhabi një marrëveshje tripalëshe për energjinë e rinovueshme. Ky bashkëpunim do t’i hapë rrugë ndërtimit të një lidhjeje energjetike nënujore përmes Adriatikut.
Për kryeministrin Edi Rama dhe homologen e tij Italiane Giorgia Meloni ndërtimi i kësaj infrastrukture nënujore do ta kthejë Shqipërinë në një eksportuese të energjisë së gjelbër.
“Një marrëveshje shumë të rëndësishme strategjike së bashku me Italinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për kabllot nënujore që është përmendur si një instrument shumë i rëndësishëm, jo vetëm për transmetimin e energjisë së përtëritshme nga Shqipëria në Itali, po kështu për të rritur kapacitetin e Shqipërisë si një lojtar kyç në rajon, mbështetur në prodhimin e saj me 100 % energji të përtëritshme”, tha Rama.
“Një angazhim jashtë mase të rëndësishëm, për të zbatuar një ndërlidhje të re energjetike për të prodhuar energji të gjelbër në Shqipëri dhe për eksportimin e një pjese të kësaj energjie në Itali përgjatë një kabulli nënujor përgjatë detit Adriatik”, tha Meloni.
Shefi i qeverisë shqiptare mendon që vendi ynë do të ketë një rol më të rëndësishëm përsa i përket energjisë së rinovueshme. Ndërsa për Melonin nisja e këtij partneriteti do të hapë mundësitë reja globale.
“Kjo nismë është një hap konkret drejt një ndërlidhjeje mirëfilli globale, nga Azia në gji, nga Afrika e Veriut në Europë, e aftë për të furnizuar me energji në mënyrë të dykahshme, apo bidireksionale”, theksoi Meloni.
“Prodhimi i energjisë elektrike në Shqipëri është ndërkohë që flasim 100 % nga burime të ripërtëritshme. Përqindja e energjisë së përsëritshme të Shqipërisë në kërkesën fundore për energji është 44 %. Kjo e bën Shqipërinë pjesë të vendeve që janë në krye të listës së vendeve europiane dhe bashkë me vendet skandinave kur vjen fjala për përqindjen e energjisë së përtëritshme”, deklaroi Rama.
Përtej marrëveshjes trepalëshe, vëmendjen e mediave italiane e mori sërish marrëdhënia miqësore e Edi Ramës dhe Gorgia Melonit. Kryeministri shqiptar përpara reporterve italianë iu ul në gjunjë Melonit, për t’i dhënë dhuratën e 48 vjetorit të lindjes: një shall që, sipas mediave italiane, Rama shpjegoi është prodhuar nga një sipërmarrës italian i cili është transferuar në vendin tonë dhe ka marrë nënshtetësi shqiptare. (A2 Televizion)