Edi Rama e ka vijuar fushatën për zgjedhjet e 11 majit pasditen e së dielës në një takim të zhvilluar me gratë në qytetin e Kamzës.
Ai i kërkoi grave socialiste që të bashkëpunojnë me gratë demokrate për të votuar Partinë Socialiste, ndërsa burrat i quajti sërish çyryk, duke thënë se ata shohin vetëm ngjyrën e fanellës.
“Duhet të punoni, të bashkëpunoni me gratë demokrate, të cilat e kuptojnë shumë mirë kalimin nga politika në realitet. Burrat kur janë tifozë janë çyryk, nuk shohin, shohin vetëm ngjyrën e fanellës. Vota nuk është një biletë për të parë skuadrën, por një zgjedhje për të gjitha punët e mira që të shkojnë përpara”, tha Rama.
"I vinte turp njerëzve që të thoshin jam nga Bathorja sepse e përdorin për të fyer sepse ishte njësoj si të thoshte ti jeton në kënetë dhe sot kjo është një e shkuar sepse me guxim Kamza zgjodhi rrugën e të ardhmes dhe mendoni sikur ta zgjidhte më parë ku do të ishte sot. Dhe sot është një ditë e bukur për PS kjo që unë shoh tani është një pamje e bukur për PS sepse ne për të ardhur deri këtu kemi bërë rrugë të gjatë me disa nga zonjat që janë këtu, kur hyje në organizatat e partisë së Kamzës nuk gjeje asnjë vajzë vetëm disa burra. Partia Socialiste kur ne e nisëm këtë kishte 12 për qind gra dhe ishte si bashkia e kamzes filloi që të rritej dhe sot kemi 40 për qind gra është më mirë se 12 por nuk është mjaftë, duhet që të behni 50 për qind", tha Rama. (A2 Televizion)