Kryeministri Edi Rama ka reaguar për ndarjen nga jeta të ish-sekretarit amerikan të Shtetit, Henry Kissinger. Në një postim në Facebook, kreu i qeverisë shprehet se librat e tij do t’i mbeten njerëzimit si pasuria e paçmueshme e eksperiencës dhe urtësisë së rrallë.
“Lamtumirë bos! Librat Tuaj i mbeten njerëzimit si pasuria e paçmueshme e një eksperience dhe urtësie të rrallë, e do të jenë në dispozicion të kujtdo sot e gjithmonë, që do të dojë të aftësohet mbi marrëdhëniet ndërkombëtare dhe gjeopolitikën; balancat mes fuqive dhe realizmin politik në ruajtjen e paqes e në projektimin e rrugëdaljeve nga konfliktet ndërshtetërore; të menduarit strategjik dhe perspektivën afatgjatë të politikës së jashtme; rolin e shkencës joekzakte të historisë dhe rëndësinë e talentit të individit kur duhen marrë vendime përballë mjegullës së të nesërmes”, shkruan Rama.
“Mua personalisht do të më mbetet edhe mirënjohja për kohën e çmuar që më kushtuat bujarisht, duke më dhuruar një ndër bisedat më të bukura që mbaj mend. U prehshi në paqe Dr.Kissinger”, përfundon mesazhin e tij kreu i qeverisë shqiptare.
Henry Kissinger u nda sot nga jeta në moshën 100-vjeçare. Ai shërbeu si diplomati më i lartë i Amerikës dhe këshilltari i sigurisë kombëtare gjatë administratave të presidentëve Nixon dhe Ford. (A2 Televizion)