
Kryeministri Edi Rama, gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste në Pallatin e Brigadave, është ndalur sërish te protestat lidhur me projektin në zonën e Zvërnecit.
Në fjalën e tij, Rama ka deklaruar se vendi është përfshirë në një valë reagimesh dhe diskutimesh që, sipas tij, kanë marrë përmasa të mëdha në rrjetet sociale dhe në opinionin publik, duke e cilësuar situatën si një “ciklon dixhital” që ka tejkaluar kufijtë e Shqipërisë.
“Prej 20 ditësh Shqipëria u kthye në syrin e një cikloni dixhital. Një vorbull më e madhe sesa përmasat e vendit tonë…,” tha Rama,
“Befas Zvërneci u bë kërthiza e botës, ku po vendosej fati i ngrohjes globale… Bota shqiptare u njehsua me histerinë e kanaleve sociale,” u shpreh Rama, duke ironizuar reagimet ndaj projektit dhe protestave që e kanë shoqëruar atë. (A2 Televizion)