Refuzimi i kërkesave të opozitës, Berisha: Beteja vazhdon deri në ekstrem, greva e urisë është minimumi

Nga Anesti Barjamemaj
30 Tetor 2023, 16:22 | Politikë

Problemet me drejtësinë nuk kanë shfokusuar Sali Berishën nga beteja parlamentare, ku kërkon prej muajsh që të respektohen të drejtat kushtetuese të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore dhe riformatimin me emrat e rinj të reformës zgjedhore.

Nëse mazhoranca nuk reflekton, thotë se opozita do kalojë në masa ekstreme, një skenar në të cilin grevën e urisë e cilëson si minimumin, kur pyetet nga gazetarët.

“Po nuk restauruan të drejtat e deputetëve në parlament, ajo betejë do të vazhdojë deri në ekstrem. Këtë ta keni të qartë. Edhe grevë urie? Minimumi. Grevë urie në Parlament? Ne jemi në një betejë pa kthim”.

Sali Berisha – Partia Demokratike (Rithemelimi)

Ish-kryeministri publikoi, këtë të hënë, disa pamje nga zgjedhjet e 14 majit në Shkodër, ku sipas tij tregohet se grupi i Bajrave ka terrorizuar qytetarët, duke u bërë njësh me shtabin elektoral të PS-së dhe policinë e shtetit.

“Mandati i Bashkisë së Shkodrës është mandat i Bajrëve dhe ne kurrë nuk do e pranojmë. Bajrët janë një strukturë parashtetërore, e cila mbështetet direkt nga kryeministri. Ka lidhje direkte dhe komunikime intensive me Taulant Ballën”.

Sali Berisha – Partia Demokratike (Rithemelimi)

I pyetur përse nuk denoncon krimin e pretenduar zgjedhor, tregon mosbesimin që ka ndaj Prokurorisë së Posaçme.

“SPAK-u është pjesë e Bajrëve. Ne mund të bëjmë padi, ke të drejtë, por SPAK-u është pjesë e Bajrëve. Një oficer policie në Shkodër, trim, dhe një prokuror vendosën t’i arrestojnë dhe i arrestuan. Të dy janë jashtë detyre sot, për krimin që kryen, se arrestuan një super kriminel që kishte vrarë një vajzë të re në gjumë."

Sali Berisha – Partia Demokratike (Rithemelimi)

Berisha premtoi se beteja për votën e lirë do të vijojë dhe në zgjedhjet e 2025 qytetarët do të mund të votojnë me dinjitet të plotë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos