Rikthimi i Donald Trump, liderët shqiptarë urojnë Presidentin e SHBA për fitoren

Nga Anesti Barjamemaj
6 Nëntor 2024, 13:40 | Politikë

Liderët e politikës shqiptare nuk hezituan për t’i uruar fitoren Presidentit të 47 të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Presidenti Bajram Begaj, teksa përgëzon Trump për rizgjedhjen në krye të Shtëpisë së Bardhë, shkruan se është gati të bashkëpunojë me të, përcjell A2 CNN.

“Shqipëria vlerëson miqësinë tonë të gjatë dhe partneritetin strategjik dhe unë pres që ta forcojmë më tej këtë bashkëpunim të ngushtë”, deklaroi Begaj.

Kryeministri Edi Rama e quan të jashtëzakonshme fitoren e Trump, por nuk harron të falënderojë dhe Joe Biden për bashkëpunimin në katër vitet e fundit: “Ishte nder i madh që të punoja me Presidentin e 46 të Shteteve të Bashkuara për të forcuar lidhjen mes dy vendeve tona. Mezi pres të kem privilegjin e madh të punoj me Presidentin e 47 për të zgjeruar partneritetin tonë të paqes, begatisë dhe progresit”.

Për Sali Berishën, vota pro Trump ishte jo vetëm historike, por edhe një shpëtim për Amerikën dhe për sigurinë botërore: “Votuan për vlerat themelore të njeriut dhe njerëzimit që ndajnë dhe mbrojnë njerëzit e lirë në mbarë botën, votuan për begatimin e tyre dhe paqen në botë. Me Presidentin Donald Trump, SHBA, aleatët dhe partnerët e tyre në këtë kohë luftërash janë më të sigurtë se kurrë më parë. Por, qytetarët amerikanë votuan gjithashtu për shpëtimin e vendit të tyre dhe jo vetëm atij nga mafia më e rrezikshme e kohërave, mafia e George Soros”.

Një urim për fitoren e Donald Trump erdhi dhe nga Ilir Meta. Kreu i Partisë së Lirisë, nga qelia e burgut, e quan fitoren e Trump si një mesazh të çmuar që kombi amerikan i jep botës se fati i demokracisë është vetëm në duart e qytetarëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos