Pas daljes nga Gjykata Kundër Krimit të Organizuar, ku u zhvillua seanca për çështjen Gërdeci, Shkëlzen Berisha iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve për përmendjen e emrit të tij për 15 vite me radhë, si i përfshirë në këtë tragjedi.
Djali i ish-kryeministrit të asaj kohe, insistoi se çështja është politizuar dhe kjo gjë nuk ka ndihmuar në zbardhjen e saj.
“Nëse tragjedia është hetuar në mënyrën e duhur, nuk di ta them. Por politizimi i kësaj çështjeje nuk e ka ndihmuar. Akuza ka thirrur 71 dëshmitarë, familjarë, punonjës të shtetit. Dëshmia ime nuk ka lidhje me akuzën. Unë e konsideroj thirrjen time në këtë proces teatër politik. Në mëngjes thirret djalë, në drekë gjykohet babai dhe në darkë jepet masa e sigurisë. Ky faks që insistoni nuk ka ardhur në adresën time, pyetjen bëjani prokurorit”, tha Shkëlzen Berisha.
Më tej, djali i ish-kryeministrit me një përgjigje gjithëpërfshirëse shpjegoi dhe lidhjet e tij me ish-ministrat Mediu, Bumçi dhe biznesmenin Delijorgji dhe marrëdhëniet me ta.
Shkëlzen Berisha insiston se është mik me ish-ministrat në fjalë dhe telefonatat që ka pasur me Mediun pas shpërthimit në Gërdec kanë qenë për çështje personale, ndërkohë që Delijorgjin shpjegon se e ka njohur si biznesmen.
“Për ta specifikuar, telefonatat me Delijorgjin janë nisur pas vitit 2008, nuk ka pasur asnjë lidhje me çështjen në fjalë, puna ka nisur që në 2007 në Gërdec. E vetmja telefonatë ka qenë për të ndjerin për të mësuar për fatin e tij. Të gjitha takimet me Mediun dhe Bumçin për çështje personale. Zoti Delijorgji ka qenë sipërmarrës dhe kjo është mënyra si e kam njohur unë. Kam qenë i qartë nuk kam nisur asnjë faks, nuk e njoh atë që e ka nisur, atë që e ka pritur, ta faktojë prokuroria. Bumçin dhe Mediun i kam miq edhe përpara se të ishin ministra edhe sot. Kam diskutuar për një çështje të tij personale”, tha ai.
Më tej, Shkëlzen Berisha foli dhe për masën e sigurisë që pritet të jepet për babain e tij në lidhje me çështjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.
Pasi akuzoi prokurorinë se po përdoret politikisht në nivele groteske, Shkëlzen Berisha bëri një krahasim me ish-presidentin amerikan Donald Trump, për të cilin tha që edhe pse ka 34 akuza, nuk është vendosur asnjë masë sigurie, ndërkohë që për babain e tij po ndodh e kundërta, ndonëse ende pa asnjë akuzë.
“Përdorimi politik i prokurorisë ka kapur nivele groteske. Më thoni një vend që kreu i opozitës mbahet në arrest shtëpie, ndërkohë që nuk ka akuzë. Donald Trump ka 34 akuza dhe asnjë masë sigurie. Masat e sigurisë në mungesë ndaj një lideri opozite që të mos takojë familjarët, groteske”, u shpreh Shkëlzen Berisha. (A2 Televizion)