
E hëna pritet të jetë një ditë e ngjeshur me zhvillime për SPAK dhe Gjykatën e Posaçme. Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, i cili u la në detyrim paraqitje, do të ketë nesër seancën e parë, ku pritet të verifikohet masa e sigurisë detyrim paraqitje, lidhur me hetimet e nisura për koncesionin e sterilizimit.
Seanca do të drejtohet nga gjyqtari i hetimeve paraprake, Erjon Bani. Deri më tani, nga hetimi i Prokurorisë se Posaçme, Ilir Beqaj është zyrtari më i lartë nën akuzë për shkeljet e konstatuara me kontratën e partneritetit publik-privat të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro, ndërsa pak muaj më parë në pranga për këtë çështje janë vënë biznesmeni, Ilir Rrapaj dhe zëvendësi i tij në Ministrinë e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj.
Vete Ilir Beqaj ka deklaruar se nuk do të ankimojë çështjen duke iu përgjigjur procesit të hetimit me vullnet të plotë, duke dhënë dorëheqjen edhe nga drejtimi i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës. (A2 Televizion)