Fjalimin para shqiptarëve në Selanik të Greqisë, Edi Rama e nisi duke shprehur keqardhje për bllokimin që iu ndodhi një ditë më parë në kufi gazetarëve të ardhur nga Shqipëria për të ndjekur takimin, mes të cilëve ishte edhe ekipi i A2 CNN.
Kundër prezencës së Ramës në Selanik kishin njoftuar protestë një grup nacionalistësh grekë, të cilët u mbajtën larg nga autoritetet vendase.
Kryeministri i përkufizoi si një grup fantazmash teksa pohoi se kishte marrë edhe kërcënime. Rama foli gjatë për historinë e shqiptarëve me Selanikun dhe kontributin e tyre. Njohu vuajtjet e dekadave të fundit, por kërkoi që marrëdhënien me Greqinë ta lexojnë me sytë e së ardhmes.
Në emër të së ardhmes, kërkoi votën e komunitetit shqiptar që jeton jashtë vendit. Kostot e kthimit me postë të fletës së votimit shihen me shqetësim nga emigrantët që i kërkuan ta rishikojë këtë aspekt.
Në takim iu kërkua që shqipja të mund të mësohet si gjuhë e dytë në shkolla, gjë për të cilën Rama tha se po punohet me Qeverinë greke, por do të kërkojë kohë. (A2 Televizion)