Enkeleda Ferollari, nutricioniste, e ftuar në “Dita Jonë” ka dhënë disa këshilla se si të shmangim kilogramët e tepër përgjatë festave. E ftuar në A2 CNN, ajo tha se është shumë e rëndësishme që në tryezë të mos mungojë sallata jeshile apo edhe zarzavatet.
“Festat e fundvitit janë festa ushqimi, kështu që duam s’duam e kemi të pamundur të shmangemi, kemi bakllavanë, gjelin, përsheshin, kështu që nuk mund të themi të mbajmë dietë apo kufizohemi, të jemi të kujdesshëm te mënyra e gatimit apo sasinë, të mos gatuajmë shumë me yndyrë. Mos harroni sallatën, se duke ngrënë kaq shumë yndyrna na duhet pak sallatë. Nëse hamë dhe sallatën, kemi mundësi që të hamë dhe të tjerat, pa u shmangur, sasia është shumë e rëndësishme, se duke ngrënë sallatë nga krijon pak mbingopje, jo vetëm sallatë, por edhe zarzavate, se na ndihmojnë që të hamë më pak. Nëse nuk i kemi, duhet të hamë pak nga të gjitha”, tha ajo.
Midis një bakllavaje dhe një gjeli detit, nutricionistja zgjedh këtë të fundit, pasi është shumë më e shëndetshme. Ndërsa fton qytetarët që të kenë kujdes edhe me alkoolin.
“Në rast se krahasojmë bakllavanë apo gjelin e detit, do preferojmë më shumë gjelin e detit sigurisht, nëse duam të jemi korrekt të mos hamë lëkurën e gjelit të detit. Një copë mesatare bakllave mund të ketë 500 kalori. Alkooli duhet të jemi shumë të kujdesshëm”, u shpreh ajo.
Një truk interesant është edhe konsumimi i copave të vogla të ushqimeve gjatë gjithë ditës, për të qenë i ngopur në mbrëmje, duke iu shmangur kështu tundimit për të ngrënë pa masë. (A2 Televizion)