Virusi RSV alarmon Europën, mjekja pediatre: Prindër kujdes fëmijët, edhe viroza e stinës agresive

Nga A2 CNN
5 Dhjetor 2023, 14:25 | Sociale

Mjekja pediatre në qendrën shëndetësore Nr.2 në kryeqytet, Valbona Shahini në “Ditari” i A2CNN u shpreh se virusi i rrugëve respiratore Sinsincia (RSV), që ka alarmuar Europën, transmetohet me shpejtësi dhe mund të ketë mbërritur në Shqipëri.

Presim që të kemi edhe këtu. Dyshime kemi sepse është virus qarkullues. Nëse është në një shtet fqinj, vjen edhe këtu. Transportimi i viruseve të tilla bëhet në një mënyrë shumë të shpejtë duke pasur parasysh lëvizjen e lirë të njerëzve.

Sipas Shahinit, edhe dhjetori ka nisur me të njëjtin fluks të prekurish nga tipi A i gripit si në vrullin e tetorit dhe nëntorit. Për këtë arsye, ajo këshilloi prindërit e fëmijëve nën 5 vjeç që të tregojnë kujdes të shtuar edhe kur i dërgojnë në kopshte e shkolla, pasi edhe viroza e stinës paraqitet agresive.

U bënë disa muaj që ne kemi një vrull të tmerrshëm të pacientëve? Jo për alarm, por kemi goxha pacientë që vizitohen. Kryesisht janë moshat e vogla. Moshat e çerdheve janë ata që frekuentojnë më tepër qendrat shëndetësore, sepse normalisht organizmi është më vulnerabël. Ka më shumë pika të dobëta tek ata, por nuk mungojnë as të kopshteve, shkollave. Madje dhe adoleshentët kanë filluar të vijnë, pacientë. Siç duket viroza e fundit e ka prekur goxha edhe atë grupmoshë. Prindërit do t’i këshilloja të kenë kujdes. Kur është ndonjë fëmijë i sëmurë mirë është të mos kenë kontakte me të. Ose kur janë pa qejf të mos i çojnë në çerdhe apo kopshte, sepse ruajnë fëmijët e tyre por edhe të tjerët. Të kenë kujdes dhe me veshjet.

E pyetur mbi dominancën e viruseve në këtë sezon, Shahini tha se janë regjistruar shumë pak raste të të prekurve me COVID dhe është gripi i tipit A, ai që mbetet prezent.

COVID-in nuk e kemi. Nuk kemi pasur raste. Ne kemi bërë teste plotë, ka pasur raste, por shumë të pakta. Janë raste të përballueshme, nuk janë për të krijuar alarmin dhe të themi obobo jemi në epidemi masive. Janë raste që organizmi i fëmijëve e përballon shumë mirë. Tipi A është i stinës dhe vazhdon të jetë. U bë pak kohë që vazhdon kjo lloj virozë. Rastet më të shumta të këtij tipi janë. Ka një farë agresiviteti kjo lloj viroze që ka rënë. Varet nga mosha e fëmijës dhe imuniteti i momentit. Përveç kësaj kohëzgjatja nuk është e theksuar, por problemi qëndron se ka pasur pasoja dhe me bronkite dhe bronkopneumoni, por shumë të rralla. Në disa raste ka prekur edhe traktin gastro-indekstinal, që kanë qenë më të vjella dhe diarre. Më të shumta kanë qenë të prekura rrugët respiratore. Raste të rënda nuk kemi pasur, shumë pak raste kanë pasur nevojë për t'u hospitalizuar.(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos