Çmimet aktuale të energjisë po bëhen të papërballueshëm për shumë sektorë në Gjermani e një prej tyre janë dhe bukëpjekësit. Tashmë, sipas njoftimit që u ka mbërritur nga furnizuesi me gaz, ata nuk do të paguajnë më 10 cent për kv/h, por 35.
Një biznesi të vogël furrë buke, me kostot shtesë për gazin, do t’i duhet të shpenzojë 100 000 € më shumë në vit për energji në të ardhmen, çka do të sjellë dhe shtrenjtim të produkteve të brumit, ku buka mund të shkojë me një çmim 10 euro.
Edhe në të tjera sipërmarrje të bukëpjekjes në Gjermani gjatë këtyre ditëve kanë mbërritur kërkesat me çmimet e reja nga furnizuesit e energjisë. Me çmime të tilla, sipërmarrësit vrasin mendjen se si do t'i përballojnë këto kosto.
Në Hanover ata dolën në protesta në rrugë. “Shpëtoni bukëpjekësit”, shkruhej në pankartat e banderolat e tyre, që i mbanin rrugës rreth 1000 bukëpjekës protestues dhe punonjësit e tyre. Në shumë lande prej ditësh shitja po bëhet në errësirë për të tërhequr vëmendjen e klientëve. “Ne po na shuhet drita. Sot drita e nesër furra?”, është motoja e tyre.
Shoqata qendrore e zejtarisë gjermane të bukëpjekësve paralajmëron që shumë sipërmarrje do të detyrohen të heqin dorë nga biznesi, nëse nuk marrin ndihma financiare nga shteti. Paketat e ndihmës të qeverisë deri tani kanë pasur kryesisht në fokus buxhetet familjare dhe jo aq sipërmarrjet. 95 miliardë euro janë planifikuar për t'ua bërë të përballueshme qytetarëve çmimet shpërthyese të energjisë. Por, u desh kohë derisa koalicioni qeverisës i socialdemokratëve, ekologjistëve dhe liberalëve ta kuptojë, që edhe sipërmarrjet nuk mund t'ia dalin dot kësaj krize pa mbështetje.
Ekspertët në Gjermani tërheqin vëmendjen se rritja e çmimit të energjisë, ashtu si edhe rritja e interesave të kredive nuk janë një dukuri e përkohshme, por ato mund të mbeten afatmesëm ose afatgjatë. (A2 Televizion)