Si do të jetë 2023-shi i PD? Të ndarë drejt zgjedhjeve, mes demokratëve ka ende shpresë për bashkim

Nga A2 CNN
1 Janar 2023, 09:29 | Politikë

Pas përçarjes së partisë në dy grupime, në prag të dekretimit të datës së zgjedhjeve vendore të vitit 2023, deputetët që mbështesin Enkelejd Alibeaj mandatuan Gazment Bardhin dhe grupimi Berisha Edi Palokën për të ulur në bisedime që PD-ja  të dalë me 1 kandidat në zgjedhje.

Të dyja palët i lanë kohë njëra-tjerës për të biseduar me kolegët e tyre deputetë e për këtë grupimi Alibeaj u kujdes të hartonte një draft ku qartazi i kërkonin palës tjetër bashkim vetëm për hir të zgjedhjeve dhe për ato çështje qe i ndanin të mos ndryshonin asnjë qëndrim.

Por sa e sinqertë ishte kjo tentativë mes demokratëve. Analistët Agim Baçi dhe Erlis Çela ndajnë mendime të ndryshme. “Bisedimet, në thelb, duket se kishin kusht pranimin e Berishës si kryetar të PD-së dhe gjithçka tjetër ishte gati ta pranonte nga kërkesat e grupit Alibeaj. Besoj se për t’u bërë bashkë pa asnjë kusht, duhet të kishin gjetur arsyet pse janë ndarë. Në momentin që personat akuzohen, ata dorëhiqen, ndërkohë që këtu ka ndodhur e kundërta, Berisha ka marrë kontrollin e partisë”, thotë Baçi.

Megjithatë, në këtë rast, pritshmëria për një lloj kompromisi, një “armëpushimi të përkohsshëm” brenda kampit opozitar është realiste, sepse njerëzit do të duan të kishin opozitë të bashkuar në zgjedhje. Por as kjo nuk u arrit. Kjo tregon se më shumë se interesi i PD-së, palët janë të interesuara më shumë për karrierën e tyre poltike dhe kush do të menaxhojë atë subjekt nga pikëpamja zyrtare”, thotë Çela.

Sali Berisha dhe Enkelejd Alibeaj "luftojnë" për PD.

Pas mosdakordësisë për të dalë me një kandidaturë palët nisën punën me strukturat e tyre përkatëse  për të zgjedhur kandidatët. Enkelejd Alibeaj që pas përçarjes së PD-së për herë të parë mblodhi kryesinë, teksa Berisha i kërkoi degëve të PD-së të përgatiten për të mbajtur primaret.

Luçiano Boçi që mbështet grupimi Berisha e njëkohësisht mban postin e nënkryetarit shprehet se dalja me dy kandidatura tregon se PD-ja ka pasurim në burimet njerëzore duke e parë pozitivisht situatën. Ai vetë do të garojë për Bashkinë e Elbasanit më 14 maj dhe pranon se për rezultatin e zgjedhjeve kjo përçarje është negative. “Asnjë nga demokratët e thjeshtë nuk pret që PD-ja të jetë me dy kandidatë, me dy programe apo e artikuluar me dy pjesë të ndryshme dhe këtë dëshirë e kanë shprehur në mënyrën sesi janë impostuar ndaj procesit të primareve. Por mendoj se kjo mund të rikuperohet, sepse qëllimi është më i arrtishëm kur kemi një kandidat. Nuk mund të themi që çdo gjë ka përfunduar”, thotë Boçi.

Deputeti Ervin Salianji ka mbajtur një qëndrim asnjanës sa i takon përçarjes së PD-së, por mbron idenë që drejtuesit e grupimeve kanë përgjegjësinë më të madhe që bëjnë të mundur që PD-ja të dalë më një kandidat pasi e kundërta do tregonte se në këto zgjedhje shkohet për interesa personale. “Ata që janë drejtues, këtu qëndron edhe konflikti i madh, duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët. Nëse ndodh ndryshe demaskon dhe nxjerr para publikut dhe demokratët ata që tentojnë të bëhen patericë e regjimit. Nuk janë zgjedhje për Berishën apo Alibeajn dhe as për askënd tjetër, janë zgjedhje për komunitetet lokale. Dëmi më i madh që bëhet nga humbja e zgjedhjeve, nëse ndodh kështu, është për demokratët”, thotë Salianji.

Për Kreshnik Çollakun 6 marsi nuk duhet të përsëritet

Kreshnik Çollaku në këtë ndarje të PD-së ka zgjedhur të jetë me grupimin Alibeaj. Ai e cilëson dramatike atë se çfarë po ndodh me PD-në dhe fajtor bën ata deputetë që thotë se kanë vendosur interesin e tyre mbi fatin e demokratëve. Ai ka bindjen se rithemelimi ka ndikuar në përçarje edhe aty ku ka pasur tentaiva për bashkim. “Dua t’iu marr shembullin e Mirditës, një bashki që me shumë gjasa mund të fitohet nga PD-ja, por patjetër edhe aty PD-ja është e ndarë si kudo. Aty ata burrat e mençur të Mirditës u ulën pa asnjë lloj ndikimi nga Tirana dhe ranë dakord që cilido që të dalë nga testimi, primaret, ta mbështesin të dyja palët”, thotë Çollaku. “Ishte një shembull shumë i mirë. Sot, ajo nismë nuk u lejua të finalizohej me pretendimin nga miqtë e mi se pala tjetër duhet të njihte statutin e Rithemelimit”.

Më 27 tetor të 2022, Sali Berisha dhe Ilir Meta firmosën marrëveshjen për aleancën mes tyre në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme vendore që do të mbahen më 14 maj, me një program që përmbante 6 objektiva që duhet të zbatoheshin nga të dyja palët. Por Partia e Lirisë nuk është i vetmi subjekt politik aleat i Berishës. Edhe aleatët e përhershëm të PD-së në këtë garë elektorale janë krah Berishës, teksa grupimi Alibeaj është i vetëm në këtë.

Cili është synimi i Enkelejd Alibeajt që po futet në zgjedhjet e 14 majit?

Sipas Ervin Salianjit kjo lëvizje po përdoret nga Basha për të themeluar një parti të re, teksa Boçi thekson se pavarësisht përçarjes edhe ata kërkojnë të fitojnë zgjedhjet. “Unë mendoj që është një lëvizje e Bashës për të krijuar një parti të vogël, bëhet për të dëmtuar kandidatët e tjerë dhe pa diskutim kjo vlen edhe për të krijuar një bazë për të krijuar një parti të re, qoftë edhe për të marrë vuëln, siç edhe duket se do të ndodhë”, thotë Salianji.

Kreshnik Çollaku nga grupimi Alibeaj tregon se janë të detyruar të futen në këto zgjedhje për shkak se duhet t’i përgjigjen atyre qytetarëve dhe demokratëve që i kanë dhënë votën. “Edhe pse nuk jam aspak optimist për rezultatin, kështu siç jemi, të përçarë”, thotë ai.

Për disa, Basha qëndron pas Alibeajt.

Analistët Baçi dhe Çela bien dakord se Alibeaj nuk e ka bërë të qartë se pse po futet në këto zgjedhje në një kohë kur në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit atëherë kryetari Basha dhe njerëzit e tij nuk fituan asnjë bashki. “Realisht nuk kam arritur të kuptoj, jo vetëm grupimin për këto zgjedhje, por të gjithë agjendën politike, nëse ekziston. Së pari, ne vazhdimisht i referohemi për mirëkuptim fjale “grupimi Alibeaj”, por në fakt aty është zoti Basha. Është ai pas kësaj qëndrese anti-Berisha në PD pavarësisht se nuk duket shumë publikisht. Por nuk arrij ta kuptoj qëllimin e këtij çorganizimi, sepse deri tani ky grupim nuk ka dalë me ndonjë ide të qartë”, thotë Çela.

“Alibeaj nuk ka treguar këto muaj pse do të qëndrojë përballë Berishës dhe si do ta riorganizojë Partinë Demokratike, sepse dihet se nuk të bën vula kryetar. Duhet të qartësojë idetë, pse nuk bashkohet me zotin Berisha. Mendoj që nuk është fundi i botës që të humbë prapë opozita, edhe pse nuk gjej arsye pse duhet të votohet prapë zoti Rama. Por çështja është, a mund t’i bindë Berisha në aleancë me Metën shqiptarët?”, thotë Baçi.

Si do të shkojë beteja e 14 majit për të dyja grupimet në PD?

“Objektivat kryesore i kemi. Duam që t’i kthejmë shkëlqimin e dikurshëm Elbasanit dhe duhet të arrijmë që të jetë qyteti i dikurshëm i dijes, i kulturës, një pol shumë i rëndësishëm në trekëndëshin Tiranë-Durrës-Elbasan”, thoë Luçiano Boçi, nënkryetar i PD-së dhe kandidat për Bashkinë e Elbasanit.

“Për shkak të keqqeverisjes besoj se opozita do të fitojë shumë më tepër se sa në zgjedhjet e fundit bashkiake”, thotë Salianji. “Ne e pësuam një herë më 6 mars, vajtëm të ndarë dhe e pamë rezultatin. Do të ishte marrëzi të tentojmë të njëjtin eksperiment dy herë”, thotë Çollaku. “Jemi ende në kohë, pavarësisht këtyre barrikadimeve që kemi bërë, të gjendet mundësia të shkojmë në bashkim të PD-së. Çdo gjë tjetër është suplementare”.

Aksioni opozitar është një tjetër pikë ku të dyja palët mes demokratëve janë shume larg nga njëra-tjetra. Grupimi Berisha gjatë një viti thirri 3 protesta të cilat mbushën Bulevardin ku ndodhet kryeministria. Grupimi Alibeaj nuk thirri asnjëherë demokratët në protestë, por aksionin opozitar e zhvillonin vetëm me iniciativa parlamentare. Për më tepër, Enkeljd Alibeaj akuzon Sali Berishën se protestat e thirrura prej tij bëhen për hir të interesave të tij. Por për Boçin dhe Salianjin protestat e PD-së e kanë arritur qëllimin e tyre dhe kanë rikthyer në vend opozitën e vërtetë.

Protesta e thirrur nga Sali Berisha ishin paqësore, por në tubimin e 6 dhjetorit kur në Tiranë mbahej Samiti i BE-Ballkanit Perëndimor, vetë kryedemokrati u godit nga një agresor teksa po i bashkohej turmës. Policia e shtetit e cilësonte autorin si njeri me probleme mendore, por kjo nga demokratët nuk u pranua asnjëherë. Pasi mbylli protestën, Berisha akuzoi nga selia blu Edi Ramën për sulmin fizik që iu bë.

Pyetja që ngrihej ishte nëse PD-ja do t’i përgjigjej sulmit për të cilin akuzoi Qeverinë, me një tjetër protestë që këtë herë rrezikonte të mos ishte më e qetë. Drejtori i komunikimit të PD-së, Alfred Lela, nuk e mohoi këtë mundësi, kur u pyet atëherë gjatë një komunikimi me A2 CNN.

Klima festive e ndërrimit të viteve duket se shmangu një përshkallëzim të betejës politike, ndërkohë që me nisjen e vitit të ri vëmendja pritet të kalojë drejt muajve të paktë që ndajnë nga zgjedhjet vendore. Gara elektorale e 14 majit dhe aksioni opozitar janë dy prej sfidave më kryesore që të dyja palët e PD-së do të kenë për vitin 2023, por edhe vendimi që gjykata pritet të japë se kujt i takon vula e partisë pritet të jetë një nga çështjet më të diskutuara të vitit 2023. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos