

















Ka përfunduar ultimatumi i dhënë nga qeveria shqiptare për largimin e diplomatëve iranianë nga Shqipëria, pas vendimit për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Islamike Iraniane.
Largimi i stafit të ambasadës ka nisur që mbrëmë në darkë, ndërsa gjatë paradites ka pasur lëvizje të shtuara në ambientet e godinës. Gjatë orës së paradites janë vënë re automjete private që janë futur aty, duke dalë me dosje dhe sende të tjera të ambalazhuara.
Gjatë paradites, rreth godinës janë vendosur forcat RENEA, agjentë të antiterrorit dhe agjentë të forcave antieksploziv, të cilët po bëjnë një kontroll të saj dhe inventarizim të dokumenteve që do të gjenden aty, si dhe heqjes së simboleve të shtetit në fasadën e jashtme të godinës.
Marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Iranit kanë qenë të tensionuara gjatë viteve të fundit, ndikuar edhe nga strehimi i muxhahedinëve iranianë në vendin tonë, që janë vendosur në kampin e tyre në Manzë të Durrësit. Ky vendim i Shqipërisë solli edhe përkeqësimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, duke u pasuar me dëbime diplomatësh. Nga viti 2018, Shqipëria ka dëbuar 5 persona pjesë të trupit diplomatik iranian në vendin tonë.
Ndërkohë, në Gjykatën e Posaçme po zhvillohet një proces gjyqësor ndaj një shtetasi iranian që dyshohet se po planifikonte të organizonte sulm terrorist në kampin e muxhahedinëve në Manzë. Më 22 korrik, opozita në ekzil e Iranit njoftoi shtyrjen e samitit që do të mbahej në kamp, pas informacioneve se mund të kishte edhe sulme terroriste. (A2 Televizion)