Skandali ka përfshirë spektaklin e bukurisë Miss Universe Indonezia, ku disa nga konkurrentet kanë kallëzuar në polici organizatorët e këtij eventi për ngacmim seksual.
Në kallëzim shkruhet se organizatorët iu kanë kërkuar vajzave të zhvishen totalisht, dy ditë para finales, për të kontrolluar nëse i ishin nënshtruar ndonjë operacioni plastik për zmadhimin e gjoksit apo kishin celulit dhe tatuazhe.
“Ndjej se të drejtat e mia janë shkelur. Kjo gjë ka ndikuar shumë tek unë. Kam pasur probleme me gjumin prej asaj dite”, rrëfen një nga konkurrentet.
Policia në Xhakarta lëshoi një deklaratë për rastin duke thënë se do të zhvillojë një hetim të thelluar, teksa një gjë e tillë u premtua dhe nga drejtuesja e Organizatës Miss Universe Indonesia, Poppy Capella.
Në konferencën për shtyp të së hënës, një nga vajzat që ka bërë kallëzim u shpreh se kontrollet trupore iu ishin bërë në një dhomë të mbyllur, ku ishin të pranishëm edhe disa burra. “Dera”, rrëfen ajo, “nuk ishte mbyllur plotësisht, duke u dhënë njerëzve nga jashtë mundësinë për të parë”.
Ndërsa konkurset e bukurisë janë lejuar prej kohësh në Indonezi, organizatorët janë të kujdesshëm që të mos ofendojnë pjesët konservatore të shoqërisë. Në vitin 2013, konkursi i Miss World anuloi paradën me bikini kur u organizua në vendin kryesisht mysliman. (A2 Televizion)