Prokuroria e Posaçme ka përgënjeshtruar një deklaratë të gazetarit Artan Hoxha, të bërë një ditë më parë, për sa i përket të dhënave të pretenduara si të deklaruara nga Nuredin Dumani për presidentin Ilir Meta. Hoxha deklaroi në emisionin “Opinion” se Dumani ka dëshmuar që vrasjen e Aleksandër Ndokës, vëllait të deputetit të PS-së Arben Ndoka - ngjarje e ndodhur në vitin 2017 - e ka porositur Ilir Meta.
“Në deklarimet e dhëna në kuadër të procedimit penal nr.75/2022 që po heton Prokuroria e Posaçme, shtetasi nën hetim N.D., nuk ka deklaruar asnjë të dhënë në lidhje me Presidentin e Republikës së Shqipërisë”, thotë SPAK në një njoftim për mediat.
“Duke marrë shkas nga ky rast, si dhe duke mbajtur në konsideratë edhe trajtimet që i janë bërë deklarimeve të shtetasit N.D. në emisione të ndryshme televizive, ftojmë mediat që të jenë të kujdesshme, të mbajnë në konsideratë ndjeshmërinë e kësaj çështjeje, të respektojnë viktimat dhe familjarët e tyre, si dhe faktin se çështja është në fazën e hetimit paraprak dhe Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”. (A2 Televizion)