Me sytë dhe zemrën nga Dortmundi, nis sot Europiani i futbollit, të zotët e shtëpisë ngrenë siparin

Nga A2 CNN
14 Qershor 2024, 10:05 | Live Euro 2024

Pritja mori fund. Sot, gjithë Europa dhe jo vetëm është me sytë nga Gjermania. Kampionati Europian i Futbollit 2024 me 51 ndeshje, në plot 31 ditë, me 24 skuadra, në 10 qytete pritëse dhe me 1 qëllim të vetëm, finalen e madhe të Berlinit.

Emocionet kuqezi kanë nisur. Shqipëria merr pjesë për herë të dytë në histori në një Europian, pas atij të vitit 2016, në Francë. Një skuadër më solide, cilësore dhe që nuk është në Gjermani vetëm për turizëm.

Kështu është shprehur stafi drejtues, lojtarët, por edhe vetë trajneri Sylvinho që me modesti pranon cilësitë e kundërshtarit, por thekson se përfaqësuesja shqiptare do të japë gjithçka për një rezultat pozitiv.

Takimi i parë me Italinë do të luhet nesër dhe për këtë ka nisur numërimi mbrapsht me sytë dhe zemër në Dortmund.

Ndërkohë sot në Mynih do të zhvillohet ceremonia hapëse dhe ndeshja e parë e Kampionatit Europian, Gjermani-Skoci.

Pancerat si vend dhe organizues, presin në “Alianz Arena”, skocezët për ta nisur aventurën e tyre në Euro 2024, në mënyrën më të mirë.

Gjermanët pas zhgënjimeve në tre kompeticionet e fundit të mëdha, duket se janë rikthyer në formë me teknikun Nagelsman, që e mori ekipin në shtator dhe prej 4 takimesh regjistron 3 fitore e një barazim.

Nëse do t’i referohemi statistikave që këto dy ekipe kanë përballë njëra-tjetrës, regjistrojnë 17 ndeshje, nga të cilat 8 i kanë fituar Pancerat, 4 skocezët, ndërsa 5 përballje janë mbyllur në barazim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos