24 orë pasi ngritën Kupën e Botës në "MetLife Stadium", heronjtë e Spanjës u rikthyen në shtëpi mes një pritjeje madhështore, që do të mbetet gjatë në kujtesën e tyre.
Afro dy milionë njerëz dolën në rrugët e Madridit për të përshëndetur kampionët e rinj të botës. Burra, gra e fëmijë pa dallim moshe, festonin me fanellën e kombëtares.
Iberikët shëtitën në qytet me autobusin e hapur, ku binte në sy mbishkrimi “Mbretërit e botës”, i shoqëruar nga dy yje të mëdhenj, simbol i dy titujve botërorë të fituar nga “La Roja”. Shkruan A2 CNN. Atmosfera ishte elektrizuese gjatë gjithë itinerarit.
Futbollistët ngritën trofeun drejt turmës, kënduan së bashku me tifozët dhe ndanë emocione me miliona njerëz që kishin pritur me orë të tëra vetëm për një përshëndetje. Ishte triumfi i një brezi që riktheu Spanjën në majën e futbollit botëror, plot 16 vite pas suksesit historik të vitit 2010.
Suksesi 1-0 ndaj Argjentinës pas kohës shtesë nuk i solli vetëm një tjetër trofe Spanjës. Ajo vulosi dominimin në përballjet gjatë gjithë turneut, tregoi futboll spektakolar, organizim perfekt dhe një brez të ri kampionësh që tashmë kanë hyrë në historinë e vendit. (A2 Televizion)