Shorti më 2 dhjetor, në vazon e dytë të euro 2024, Shqipëria me sytë nga goglat

Nga A2 CNN
22 Nëntor 2023, 16:41 | Futboll

Shorti më 2 dhjetor, në vazon e dytë të euro 2024,

Festa për kualifikimin e dytë në histori në Kampionatin Europian, entuziazmi për rezultatin historik të arritur si fitues të grupit, tashmë i ka lënë vendin ankthit të shortit.

Më 2 dhjetor kuqezinjtë do të mësojnë kundërshtarët e fazës së grupeve në Euro 2024. Shpresat janë të mëdha, por edhe frika, sepse 24 ekipet pjesëmarrëse janë ajka e futbollit kontinental. Për më tepër, ecuria në këto kualifikuese ka bërë që ekipet e mëdha të jenë të shpërndara kudo.

Shqipëria është pozicionuar zyrtarisht në vazon e dytë aty ku ndodhen edhe Danimarka, Hungaria, Austria, Turqia dhe Rumania. Në vazon e parë si koka serie janë Gjermania organizatore, Portugalia, Franca, Spanja, Belgjika dhe Anglia.

Rivalët e fort ndodhen edhe në vazon e tretë, me Skocinë, Sllovakinë, Slloveninë, Republikën Çeke, Holandën dhe Kroacinë.

Po kaq të rëndësishëm edhe emrat në vazon e katërt, duke nisur nga Italia e Zvicra, për të vijuar me Serbinë, teksa tre vendet e fundit do të përcaktohen nga ndeshjet play-off të Ligës së Kombeve. Me gjasë ato do të jenë Polonia, Ukraina dhe Greqia, edhe pse më parë këto ekipe duhet të konfirmohen në fushë.

Një prej rreziqeve madhore, është që bazuar në shpërndarjen përpara shortit të Euro 2024, Shqipëria mund të ketë në grup Gjermaninë, Francën apo Spanjën nga vazo e parë, Holandën apo Kroacinë nga vazo e dytë dhe Italinë apo Zvicrën nga vazo e tretë. Ky do të ishte një grup i hekurt, që përtej prestigjit askush nuk e dëshiron, sepse ëndrra është që kuqezinjtë të kualifikohen në fazën me eliminim direkt. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos