Kosova ka ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin Primoz Gliha. Ka qenë vetë Federata që ka dhënë lajmin, nëpërmjet një deklarata zyrtare.
Largimi i tij u kërkua me ngulm nga tifozët, të cilët janë shumë të zhgënjyer pas dështimit të kualifikimit në Euro 2024. Slloveni Gliha qëndroi në pankinë 6 ndeshje.
“FFK njofton opinionin se me përfundimin e ciklit kualifikues për Kampionatin Evropian 2024, ka përfunduar edhe marrëveshja me trajnerin e deritanishëm Primoz Gliha. FFK-ja e falënderon përzgjedhësin Gliha për punën e tij në krye të ekipit kombëtar në gjashtë ndeshjet kualifikuese të zhvilluara pas shkarkimit të ish-përzgjedhësit, Alain Giresse. Federata ka filluar analizimin e thellë të situatës aktuale në ekipin kombëtar A dhe pas kësaj analize do të merren masat adekuate dhe veprimet e ardhshme. Përfshirë edhe angazhimin e përzgjedhësit të ri që do t’i prijë ekipit kombëtar”- shkruan FFK.
Kosova mbylli fushatën kualifikuese të Euro 2024 në vendin e parafundit, duke lënë mbrapa vetëm përfaqësuesen modeste të Andorrës. (A2 Televizion)