“Shumë punëtorë do të vdesin”, thirrje FIFA-s për të mos i dhënë Arabisë Saudite organizimin e Botërorit 2034

Nga A2 CNN
11 Nëntor 2024, 13:23 | Futboll

“Shumë punëtorë do të vdesin”, thirrje FIFA-s

Amnesty International dhe Sport & Rights Alliance kanë kërkuar që FIFA të pezullojë procesin e shpalljes së Arabisë Saudite si mikpritëse e Kupës së Botës 2034 derisa vendi të ndërmarrë reforma të rëndësishme në fushën e të drejtave të njeriut. Sipas raportit të publikuar, kandidatura saudite nuk përmbush kriteret e FIFA-s për respektimin e të drejtave ndërkombëtare të njeriut.

Ndërkohë, FIFA pritet të shpallë zyrtarisht vendet pritëse për Kupat e Botës 2030 dhe 2034 në dhjetor, me Arabinë Saudite si kandidatura e vetme për edicionin e vitit 2034. Ndër projektet e mëdha që Arabia Saudite ka premtuar për këtë organizim përfshihen ndërtimi i 11 stadiumeve të reja dhe 185,000 dhoma hotelesh, ndër të tjera.

 

Megjithatë, drejtuesit e Amnesty thonë se këto plane do të kërkojnë një numër të madh punëtorësh emigrantë, të cilët janë të ekspozuar ndaj abuzimeve nën sistemin “Kafala” të sponsorizimit. Ky sistem i lidh punëtorët me një punëdhënës specifik, duke i bërë ata pre e shfrytëzimit, përmes mbajtjes së pasaportave dhe punës së detyruar. Amnesty paralajmëron se shumë do të vdesin, ndërsa të tjerë do të përballen me zhvendosje të detyruar dhe diskriminim.

“Shumë punëtorë do të vdesin”, thirrje FIFA-s

Kreu i të Drejtave të Punës dhe Sportit në Amnesty International, Steve Cockburn, tha se Arabia Saudite nuk ka treguar një angazhim të vërtetë për reforma dhe se “FIFA duhet të ndalojë procesin e kandidaturës derisa të vendosen mbrojtje të besueshme për të drejtat e njeriut.”

Ndërkohë, kandidatura për Botërorin 2030, e cila do të organizohet nga Spanja, Portugalia dhe Maroku, gjithashtu është nën shqyrtim për shkak të shqetësimeve për të drejtat e njeriut, përfshirë përdorimin e dhunshëm të forcave të policisë në disa vende dhe rrezikun e dëbimeve të detyruara në Marok për projekte të mëdha infrastrukturore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos