Nuk kishte kupë për të ngritur drejt qiellit, por kishte diçka po aq të vlefshme: dashurinë e pakushtëzuar të tifozëve. Pas humbjes në finalen e Botërorit ndaj Spanjës, Argjentina u rikthye në Buenos Aires e zhgënjyer për trofeun e munguar, por e pritur si një ekip kampion nga mijëra mbështetës.
Që në orët e para të mëngjesit, tifozët u rreshtuan përgjatë rrugës që lidh aeroportin ndërkombëtar me qendrën stërvitore të Federatës Argjentinase të Futbollit.
Flamujt bardhekaltër valëviteshin kudo, ndërsa duartrokitjet dhe përshëndetjet ishin mënyra më e bukur për t'u thënë faleminderit futbollistëve që luftuan deri në minutën e fundit për të mbrojtur titullin botëror.
Federata Argjentinase konfirmoi se vetëm një pjesë e skuadrës dhe stafit teknik u kthyen në vend, ndërsa Lionel Messi dhe Rodrigo De Paul udhëtuan drejt Floridës, aty ku i pret angazhimi me Inter Miami. Ndryshe nga pritja madhështore pas triumfit të vitit 2022, këtë herë nuk pati paradë festive. Atmosfera në ekip ishte e mbushur me zhgënjim, ndërsa mediat argjentinase raportuan se lojtarët nuk ishin në humor për festime, pavarësisht se presidenti Javier Milei kishte deklaruar se do të shpallej ditë pushimi sa herë që skuadra do të vendoste të festonte rikthimin.
Humbja në finale ndaj Spanjës, i mohoi "Albicelestes" mundësinë për t'u bërë kombëtarja e parë që do të mbronte titullin që nga Brazili i vitit 1962 që mbron me sukses titullin kampion të botës. (A2 Televizion)