Prenga e rrëzoi dy herë në tapet, Anthony Jashua fiton me vuajtje dhe pret Tyson Fury në nëntor

Nga Erjon Dervishi
26 Korrik 2026, 10:46 | Sport

Prenga e rrëzoi dy herë në tapet, Anthony Jashua fiton me vuajtje

Ish-kampioni i botës në peshat e rënda, Anthony Joshua, i mbijetoi goditjeve të furishme të shqiptarit Kristian Prenga në ndeshjen mes tyre në Arabinë Saudite. Ndeshja vjen përpara supersfidës së shumëpritur me Tyson Fury në muajin nëntor.

Kjo ndeshje nuk kaloi pa vuajtje për Anthony Joshua. Ndonëse fitoi, boksieri britanik u rrëzua dy herë në tapet në raundin e parë nga Prenga, duke qenë shumë pranë një humbjeje shokuese.

Joshua arriti të përmbyste gjithçka me një nokaut të fuqishëm në raundin e dytë. Goditja vendimtare e la Prengën të shtrirë në tapet, i kapur mes litarëve të ringut, duke i dhënë fitoren ish-kampionit të botës dhe duke shmangur një poshtërim që do të rrezikonte edhe duelin e shumëpritur me Tyson Fury.

Pas tre minutave të para të ndeshjes, përballja e planifikuar me Fury dukej se ishte në prag të dështimit. Joshua, megjithatë, reagoi me vendosmëri dhe arriti të rikthehej, duke shpëtuar jo vetëm këtë sfidë, por edhe vazhdimësinë e karrierës së tij. Kjo ishte ndeshja e parë e Joshua që prej aksidentit automobilistik të dhjetorit të kaluar, ku humbën jetën dy nga miqtë e tij më të ngushtë, Sina Ghami dhe Latif Ayodele.

Për këtë duel, britaniku ishte përgatitur me Oleksandr Usyk dhe ekipin e tij, duke synuar të përfitonte nga eksperienca e ish-rivalit të tij. Vetëm 20 sekonda pas sfidës, Prenga e befasoi me një goditje të fortë "uppercut" me të djathtën, që e rrëzoi menjëherë në tapet. Joshua u ngrit i tronditur dhe, në mesin e raundit, vazhdonte të kishte vështirësi në ekuilibër. Rreth 30 sekonda para fundit të raundit të parë, shqiptari e rrëzoi sërish, duke e vendosur shumë pranë humbjes.

Por Joshua reagoi në fund të raundit dhe hyri në të dytin me një tjetër ritëm. Ai e vuri menjëherë në vështirësi Prengën, i cili nisi të tërhiqej pas goditjeve të britanikut. Pak çaste më vonë, Joshua e mbylli ndeshjen me një nokaut spektakolar, duke siguruar fitoren dhe duke mbajtur gjallë supersfidën e shumëpritur ndaj Tyson Fury. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos