Virozat mbushin pediatrinë, i nxehti shton problemet, mjekët thirrje për kujdes

Nga Ornela Joti
26 Korrik 2026, 09:27 | Sociale

Temperaturat e larta po favorizojnë shpërthimin e virozave, tipike të stinës. Gastroenteritet, apo siç njihen ndryshe, diarre dhe të vjella të shoqëruara me temperaturë të lartë, janë shqetësimet që po mbizotërojnë këtë periudhë.

Urgjenca e infektivit dhe veçanërisht ajo e pediatrisë janë më të ngarkuara se zakonisht. Mjekët pediatër flasin për rritje të rasteve, kryesisht në grupmoshën 1 deri 5 vjeç.

Numri i paraqitjeve në urgjencën e pediatrisë nuk i kalon 200 pacientë në ditë. Ngarkesa vihet re edhe në poliklinikat e lagjeve, por edhe në qendrat shëndetësore verore, ku është zhvendosur një pjesë e popullsisë për shkak të pushimeve.

Mjekët pediatër u bëjnë thirrje prindërve të tregojnë kujdes të shtuar në këtë periudhë me temperatura ekstreme. Mjekët theksojnë rëndësinë e konsumimit të lëngjeve, të shmangen daljet në orët e pikut të vapës, si dhe të mos mbahen për kohë të gjatë ushqimet në frigorifer. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos