Sa e vështirë e kanë sot pensionistët shqiptarë të përballojnë kujdesin shëndetësor dhe medikamentet?
E ftuar në emisionin “Diagnozë” nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti, në rubrikën “Impakt shëndet” dr. Romina Radonshiq, doktore e shkencave në ekonomi, lektore universitare dhe drejtuese e departamentit të Financës dhe Kontabilitetit në një kolegj universitar, ka treguar për studimin e realizuar për revistën shkencore mjekësore “Diagnozë” mbi vështirësitë e pensionistëve në aksesin ndaj medikamenteve.
Ajo është e shprehur:
“Doja ta nisja me arsyen pse zgjodha moshën e tretë dhe pensionistët, dhe pse pikërisht aksesin në shëndetësi. Sepse pensionistët në radhë të parë përfaqësojnë të tashmen. Sepse një vend zhvillohet falë moshës së tretë, falë kontributit të tyre, dhe në fakt në Shqipëri, për arsye të ndryshme, është për të ardhur keq që gjithë ky kontribut nuk po shpërblehet në aspektin monetar,” shpjegon Radonshiqi.
Sipas saj, pjesa më e madhe e pensionit shkon drejt dy zërave kryesorë: konsumit dhe medikamenteve.
“Pjesa e madhe e pensionistëve, nga niveli i tyre i ulët i pensioneve, një pjesë e kanë për konsum dhe pjesën tjetër e kanë për medikamente, pra për kujdes shëndetësor. Pse? Sepse ato janë më vulnerabël për sa i përket sëmundjeve apo medikamenteve që u duhen për të pasur një jetë të shëndetshme,” thotë ajo.
Cilat janë gjetjet kryesore të studimit?
Studimi krahasoi situatën e pensionistëve në zonat rurale dhe ato urbane.
“Rreth 80% e pensionistëve thonë se kanë nevojë për zgjerimin e listës së medikamenteve të rimbursueshme, pasi një pjesë të mirë të buxhetit të tyre nga pensioni e shpenzojnë për medikamente, sepse një pensionist ka më shumë se një sëmundje kronike,” shpjegon Radonshiqi, duke shtuar se çmimet e larta të barnave, në raport me të ardhurat modeste, e bëjnë situatën edhe më të vështirë.
Rreth 80% e të anketuarve kanë deklaruar gjithashtu se marrin ndihmë financiare nga fëmijët e tyre, ndërsa 40% kanë kaluar situata të vështira ku kjo ndihmë ka qenë e domosdoshme.
“Nëse nuk do kishin fëmijë të tyre për t’i ndihmuar, do ishte e tmerrshme, e papërballueshme. Rreth 40% kanë pohuar se kanë qenë pjesë e situatave të vështira, ku vërtetë do duhej që fëmijët e tyre jo vetëm t’i ndihmonin në kujdesin shëndetësor dhe gjetjen e spitaleve, por edhe të përballonin një faturë të kripur,” thotë ajo.
A i shtyjnë pensionistët vizitat mjekësore?
“Duhet të themi që mund t’i shtyjnë ndoshta për arsye të aksesit dhe të problemeve ekonomike. Një pjesë e mirë e shërbimeve shëndetësore janë falas, që do të thotë që pensionistët shpesh nuk kanë edukimin e duhur për të shkuar tek mjeku në momentin që kanë probleme,” shpjegon Radonshiqi, duke shtuar se kjo mangësi edukimi shëndetësor është më e theksuar në zonat rurale, ku problematika shtesë lidhet me infrastrukturën e amortizuar të qendrave shëndetësore.
“Në zonat rurale, ky pensionist duhet të ketë të ardhura shtesë që të shkojë në qytetin më të afërt me qëllim që të bëjë kontrollet e tij mjekësore,” thekson ajo.
Çfarë do t’i ndihmonte më shumë pensionistët?
Një nga rekomandimet kryesore të dala nga studimi lidhet me krijimin e një linje telefonike falas.
“Në një pyetje të bërë, nëse do të ishte e rëndësishme një linjë telefonike 24 orë ku do të përgjigjej një mjek për shqetësime dhe do të jepte informacion, më shumë se 90% e pensionistëve kanë thënë që do të ishte shumë efikase. Kjo do t’i ndihmonte shumë pensionistët të merrnin informacione kur kanë probleme shëndetësore, pa dashur, pra, t’u kursente kohë,” shpjegon Romina Radonshiqi.
Ajo vë në dukje edhe nivelin e ulët të pensioneve në zonat rurale.
“Duhet të kuptojmë që në zonat rurale, një pensionist ka një pension mesatar diku te 11.000 lekë të reja, pra vetëm 110 euro. Mungesa e kujdesit shëndetësor pranë tij e rrit atë faturën e kujdesit shëndetësor dhe e bën më të vështirë mirëqenien dhe cilësinë e jetesës,” thotë ajo.
Çfarë rekomandon studiuesja?
“Është shumë e rëndësishme rritja e pagës së mjekëve, por nga ana tjetër edhe shtimi i stafit mjekësor, sidomos në zonat rurale, aty ku ka më tepër nevojë një pensionist,” thekson Radonshiqi, duke shtuar se rolin kryesor në kujdesin ndaj të moshuarve e ka edhe vetë familja.
“Anëtarët e familjes duhet të jenë ata që të ndërgjegjësojnë moshën e tretë. Patjetër, jo vetëm të ndihmojnë dhe të suportojnë në aspektin financiar, por dhe mental është shumë e rëndësishme,” përfundon ajo.
Emisioni “Diagnozë”, nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti, vjen për teleshikuesit e A2 CNN çdo të shtunë në orën 18:00, me tema të rëndësishme që lidhen drejtpërdrejt me shëndetin. Qëndroni të informuar nga mjekë profesionistë, për një jetë dhe shëndet më të mirë. (A2 Televizion) (A2 Televizion)