Besimtarët bektashianë kremtojnë sot Ditën e Sulltan Nevruzit, ditëlindjen e Imam Aliut në Qabe.
Kjo festë cilësohet në mbarë botën Aleviane si dita e fisnikërisë bektashiane dhe dita e ringjalljes së madhe, ku lind shpresa dhe ringjallja për gjithë njerëzimin. Është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë. Në Shqipëri, Dita e Sulltan Nevruzit, festa më e rëndësishme e Bektashizmit, u dekretua si festë kombëtare në vitin 1996.
Bektashizmi është një urdhër fetar islamik me një teori filozofike të vetën dhe të veçantë. Ai u krijua në Anadoll në shekullin e XIV dhe mori këtë emër nga themeluesi i saj Haxhi Bektash Beliu.
Në Shqipëri, Bektashizmi depërtoi me pushtimin osman në qytete si Krujë, Elbasan, Gjirokastër, Tepelenë, Frashër etj. (A2 Televizion)