Tatimi i veçantë për energjinë, shteti merr gjysmën e shitjeve mbi 8.5 lekë/kwh

Nga A2 CNN
23 Nëntor 2022, 13:51 | Ekonomi

Shteti duket se do të bëhet aksioner i barabartë me prodhuesit privatë të energjisë, në fitimet shtesë që ata kanë kryer gjatë këtij viti. Tatimi i veçantë u lajmërua fillimisht kur paketa e buxhetit u prezantua në Kuvend.

Ndërsa tanimë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka bërë gati draftin final, pas konsultimeve me aktorët e tregut.

Sipas një dokumenti të siguruar nga A2 CNN, taksa do të quhet “kontribut i solidaritetit” dhe është e barabartë me 50% të të ardhurave të siguruara nga shitja e energjisë në treg të lirë mbi çmimin 8.5 lekë për kilovatorë.

Llogaritja e tatimit të veçantë do të kryhet nga Drejtoria e Tatimeve që në Janar të vitit 2023 dhe kompanitë do të kenë mundësi të paguajnë detyrimin me dy këste. I pari deri në 31 Mars dhe tjetri deri në 30 Nëntor.

Sipas një dokumenti të siguruar nga A2 CNN, taksa do të quhet “kontribut i solidaritetit” dhe është e barabartë me 50% të të ardhurave të siguruara nga shitja e energjisë në treg të lirë mbi çmimin 8.5 lekë për kilovatorë

Nga ky ligj përjashtohen hidrocentralet e vogla që ia shesin energjinë kompanive publike me çmim fiks në bazë të kontratës.

Qeveria e konsideron këtë një masë të përkohshme dhe të jashtëzakonshme, ndërsa i heq mundësinë prodhuesve ta quajnë kontributin e solidaritetit si një shpenzim të zbritshëm nga tatimi mbi fitimin.

Taksa pritet të zbatohet edhe për vitet pasuese deri më 31 Dhjetor 2024, por mund të ndërpritet më herët, nëse çmimi mesatar i energjisë në bursën hungareze, që përdoret si referencë nga shteti shqiptar do të jetë nën 180 euro për MWh.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi