Emërimi i kreut të ri të SPAK është një hallkë e rëndësishme të reformës në Drejtësi. Nga ana tjetër mesazhet e ambasadores amerikane Yuri Kim për transparencë në garën që sheh përballë Altin Dumanin, Ervin Kondilin dhe Adnan Xholin, hedhin dyshime mbi këtë proces.
Sipas gazetares Anila Hoxha e ftuar në “Debat”, “mesazhi i ambasadores ishte i drejtpërdrejtë për qeverinë e prokurorëve, për KLP-në, institucioni përgjegjës për nga ku mandatohet kreu i SPAK me mandat 3 vjeçar dhe prokurori i zakonshëm me mandat 9-vjeçar. Pasi është shprehur interesi nga kandidatët në korridoret e KLP-së nisën fushatat e fshehta që lobonin për kandidatët, disa prej tyre të diskutueshme”. Sipas saj, “ambasadorja ka folur në gjuhen e saj me nënkuptime dhe pa përmendur emra, por nga ana tjetër mesazhi është për personat që po zgjedhin kandidatët”.
Sipas avokatit Bledar Meminaj “gjuha e ambasadores është e pazakontë dhe ndoshta është rezultati i ndonjë investigimi të ambasadës, por sipas meje ambasadorja po gabon se duhet të kishte mënyra zyrtare të tjera të shprehjes se në këtë mënyrë mund të ndikojë për ndonjë kandidat tjetër”.
Por kjo qasje çohet edhe më në thellësi nga gazetari Armand Bajrami, i cili nënvizon se “deklarata është e pazakontë por nuk është e shkëputur nga deklaratat paraardhëse për sa i përket reformës në drejtësi dhe institucioneve që e përbëjnë. Ambasadorja ka shprehur se ka persona që duan ta kthejnë drejtësinë në stadin e mëparshëm, siç u shpreh edhe në rastin e ceremonisë të 30 vjetorit të Gjykatës Kushtetuese, kur tha që ligji është mbi të gjithë, dhe koha kur mund të shkonin sms dhe telefonata kishte përfunduar. Në këtë deklaratë të fundit, është kaluar pak caku i diplomates, është paradoksal qëndrimi, sepse të tre kandidatët janë pjesë e trupës së prokurorisë së Posaçme, që kanë kaluar filtrat e vetingut dhe kanë marrë bekimin e Reformës në Drejtësi”.
Por në vetvete problemet sipas avokatit Meminaj qëndrojnë tek vetë struktura e SPAK.
“Kandidatët të shihen edhe nga ana profesionale. Ndryshe nga çfarë shitet, ne si avokatë kemi vështirësi të pafundme për sa i përket shkeljet procedurale që formulohen nga struktura e SPAK, dhe nuk është parë që ILD të ketë marrë masa për një anëtar të SPAK. Kemi shkelje të ndryshme, dhe nuk është administruar asnjë ankesë. Nuk kanë standardet që pritej. SPAK ka një emër të ri, por janë po të njëjtët gjykatës që kanë qenë në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Nuk është konsoliduar ende si strukturë, nuk kanë stafin e duhur. Njerëzit mendonin se do të shihnin para Gjykatës pushtetarët, jo një ose dy ministra. Për mua janë show, është çështje mundësie dhe vullneti, edhe pse shumë dosje janë nën hetim”. (A2 Televizion)