
Instituti i Satistikave raportoi një ditë më parë se në gusht, inflacioni zbriti në minimumin e 1,4% kundrejt 2,2% që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë, teksa çmimet e ushqimeve pësuan një rritje të fortë.
Kontrasti mes treguesve
shpjegohet me tkurrjen e konsumit, që po shndërrohet në një problem jo të vogël
për ekonominë, në kushtet kur është një ndër gjeneruesit e rritjes.
Ekspertët japin shpjegime të ndryshme për atë
që po ndodh sot në treg, duke e lidhur me të tjerë faktorë përveç rritjes së
çmimeve.
Kastriot Sulka shprehet: “Unë gjykoj që një
pjesë e mirë e aftësisë së tregut të punës do të cenojë gjatë edhe këtë që
quhet fuqi blerëse”.
Ndërsa Kosta Bajraba thekson se “ulja e konsumit nuk
është vetëm rezultat i rritjes së çmimeve, por edhe i faktorëve të tjerë të
shoqërisë dhe të ekonomisë, siç është diversifikimi i përdorimit të buxhetit
familjar drejt shërbimeve të tjera joushqimore”.
Inflacioni është treguesi që indirekt tregon
për koston e jetesës. Çdo rritje çmimesh godet jo pak buxhetet familjare, në
kushtet kur 43% e të ardhurave mujore të tyre shkon për ushqim. Nivel që është
ndjeshëm më i ulët në vendet e tjera.
Inflacioni ndodhet aktualisht nën objektivin
minimal të Bankës së Shqipërisë, që parashikon një luhatje të këtij treguesi në
kufijtë 2 deri në 4%.
(A2 Televizion)