“Trafikanti më i rrezikshëm i Kolumbisë” dënohet me 45 vite burg

Nga A2 CNN
9 Gusht 2023, 10:23 | Bota
“Trafikanti më i rrezikshëm i Kolumbisë” dënohet

Një gjykatë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënoi me 45 vite burg trafikantin e drogës, Dairo Antonio Úsuga, kreun e një për karteleve më të rrezikshme të drogës në Kolumbi.

Usuga, i njohur ndryshe me nofkën Oteniel drejtoi Klanin e Gjirit për 9 vite dhe konsiderohej një prej drejtuesve më të egër të tij. Ai u shpall fajtor në janar për organizatë kriminale dhe trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Pas leximit të vendimit të gjykatës, 51-vjeçari u shpreh se i vinte keq për veprimet e tij.

“I kërkoj falje qeverive të Shteteve të Bashkuara dhe Kolumbisë, si dhe viktimave të krimeve që kam kryer”, u shpreh ai.

Gjatë procesit, prokurorët e cilësuan Dairo Antonio Úsuga si trafikantin më të rëndësishëm të Kolumbisë pas Pablo Escobar, i cili mendohet të ketë dërguar drejt SHBA-së të paktën 100 tonë kokainë.

Usuga u arrestua në një operacion gjigant policor në 2021 dhe u ekstradua në SHBA për t’u përballur me akuzat e ngritura nga autoritetet e këtij vendi. Avokatët e tij kërkuan një dënim jo më shumë se 25 vjet.

Ata argumentuan se edukimi i tij i pakët, i rrethuar nga lufta guerile, e çoi atë në një jetë drejt krimit.

Oteniel ishte lideri i kartelit “Gulf Clan” në Kolumbi, i cili është një nga bandat më të fuqishme dhe brutale të vendit. Ajo vepron në shumë provinca dhe ka lidhje të gjera ndërkombëtare, si dhe është e “specializuar” në kontrabandën e drogës, njerëzve, nxjerrjen e paligjshme të arit dhe zhvatjen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos