Vrasja e tmerrshme e një gruaje të re ka tronditur Bosnjën, ndërsa autoritetet përballen me presion për të frenuar dhunën nga partneri.
Indinjata dhe trishtimi që ka përfshirë Bosnjën dhe Hercegovinën ka nxitur qindra njerëz të dalin në rrugë në protestë pas vrasjes brutale të gruas nga partneri i saj, të cilën ai e transmetoi drejtpërdrejt në Instagram.
Pankarta me mesazhe si "Stop abuzuesve!" ndoqën thirrjet që iu bënë autoriteteve për të rritur reagimin e tyre ndaj dhunës dhe abuzimit nga partneri.
Protestat pasuan gjithashtu funeralin e Nizama Hećimović, i cili u zhvillua të hënën në Gradačac, vendlindja e saj, ku ajo u vra të premten e kaluar nga partneri i saj, i cili e gjeti atë pasi ajo u përpoq të largohej prej tij pas incidenteve të përsëritura të abuzimit.
Nizama u qëllua një javë më parë në prani të fëmijës së tyre nëntë muajsh, ndërsa autori Nermin Sulejmanoviç, 35 vjeç kreu vetëvrasje pas krimit. Ai u gjet i vdekur nga forcat e policisë në zonën e qytetit verilindor të Bosnjës, Gradaçacit.
Sulejmanoviç e vrau ish-bashkëshorten dhe dy burra të tjerë, babë e bir, me pistoletë. Ai, po ashtu, plagosi një polic, si dhe një burrë tjetër dhe një grua në zona të ndryshme në Gradaçac.
Autori përshkruhet në mediat lokale si një bodybuilder i suksesshëm që ka marrë pjesë në garat ndërkombëtare. Ai kishte gjithashtu precedentë penalë që përfshinin arrestime për trafik droge në shkallë të gjerë.
Kryeministri i Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Nermin Nikshiq, tha se nuk mund të gjente fjalët e duhura për të përshkruar tronditjen e tij.
“Nuk ka fjalë për të përshkruar atë që ndodhi”, tha ai dhe shprehu “ngushëllimet më të thella” për familjet e viktimave.
Deklarata të ngjashme u bënë edhe nga zyrtarë të tjerë boshnjakë, por vendasit nuk u qetësuan nga fjalët e tyre.
Një asamble jozyrtare e qytetarëve në Gradaçac mblodhi mbi 1000 nënshkrime në një peticion që shprehin indinjatën e tyre me punën e autoriteteve në parandalimin e kësaj ngjarjeje. (A2 Televizion)