
Vala e të nxehtit që përfshiu Belgjikën nga 18 deri më 29 qershor ka shkaktuar një rritje të ndjeshme të numrit të viktimave, me autoritetet që raportojnë një shtim prej 39 për qind të vdekjeve krahasuar me nivelet normale për këtë periudhë.
Sipas të dhënave paraprake të Grupit Belg të Menaxhimit të Riskut (RMG), gjatë kësaj periudhe u regjistruan 1.222 vdekje më shumë, duke shënuar bilancin më të lartë të vdekjeve të lidhura me një valë të nxehti në historinë e vendit.
Më të prekurit ishin të moshuarit, ku mbi 530 viktima ishin persona të moshës 85 vjeç e lart. Megjithatë, autoritetet raportojnë se 180 vdekje u regjistruan edhe te personat nën moshën 65 vjeç, çka tregon se temperaturat ekstreme kanë prekur të gjitha grupmoshat, shkruan A2CNN.
Sipas RMG-së, numri i vdekjeve ditore gjatë kësaj periudhe arriti nivelin më të lartë të regjistruar në Belgjikë që nga vala e parë e pandemisë së COVID-19.
(A2 Televizion)