“Alarm i kuq” për Ditën e Pavarësisë. Amerika feston 250-vjetorin mes temperaturave ekstreme

Nga Rosalba Bejdo
3 Korrik 2026, 15:09 | Bota

Teksa Shtetet e Bashkuara përgatiten të shënojnë 250-vjetorin e pavarësisë, një valë e rrezikshme e të nxehtit kërcënon të prishë festën.

Në verilindje dhe në rajonin Atlantikut të Mesëm, qytetet kanë ashpërsuar edhe më tej masat tashmë të rrepta të sigurisë për festimet e 4 Korrikut, duke marrë njëkohësisht masa shtesë për shkak të vapës ekstreme.

Edhe në Boston, autoritetet po u bëjnë thirrje qytetarëve të planifikojnë me kujdes aktivitetet e tyre, shkruan A2.

Dr. Robbie Goldstein tha: "4 Korriku duhet të jetë një ditë feste dhe kujtimesh të bukura, por me këto temperatura të larta, ai duhet gjithashtu të planifikohet me shumë kujdes”.

Në Nju Jork, zyrtarët thanë se nuk ka kërcënime konkrete dhe të besueshme për sigurinë përpara një fundjave të ngarkuar me aktivitete. Megjithatë, ata u kërkojnë banorëve dhe vizitorëve të jenë vigjilentë.

Zohran Mamdani, Kryetari i Bashkisë, theksoi: "U kërkojmë banorëve të Nju Jorkut të kujdesen për njëri-tjetrin, por edhe për turistët, të cilët mund të mos jenë të familjarizuar me sistemin tonë të metrosë, rrugët e mbushura me njerëz apo valën e të nxehtit që po përjetojmë këtë javë”.

Në Uashington, temperaturat e 4 Korrikut mund të arrijnë 40 gradë, duke thyer rekordin historik që mbahet që nga viti 1919. Për këtë arsye, në aktivitetet kryesore të qytetit, përfshirë Panairin e Madh të Shtetit Amerikan, janë vendosur pika shtesë për furnizim me ujë dhe çadra të posaçme për freskim.

Për më tepër, për shkak të fjalimit që Presidenti Donald Trump do të mbajë para shfaqjes së fishekzjarrëve, masat e sigurisë të së shtunës do të jenë veçanërisht të rrepta.

Scott Brecht, nga Policia e Parqeve, deklaroi: "Vizitorët do të vërejnë masa sigurie më të forta se në vitet e kaluara. Përveç kontrolleve të sigurisë, do të ketë edhe më shumë kufizime për lëvizjen e këmbësorëve”.

Kudo që amerikanët të zgjedhin të kalojnë fundjavën festive, ekspertët e shëndetit u bëjnë thirrje të respektojnë paralajmërimet për vapën dhe, nëse është e nevojshme, të ndryshojnë planet e tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos